BOTA, 13 Janar 2023, 10:12

Reznikov: Ukraina është anëtare de facto e aleancës së NATO!

Reznikov: Ukraina është anëtare de facto e aleancës së

Ukraina është bërë anëtare de facto e aleancës së NATO-s, ka deklaruar ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksii Reznikov.

Në një intervistë me BBC, Oleksii Reznikov tha se ishte i sigurt se Ukraina do të merrte armët të kërkuara prej kohësh, përfshirë tanke dhe avionë luftarakë, pasi Ukraina dhe Rusia duket se po përgatiten për ofensiva të reja në pranverë.

“Ky shqetësim për nivelin e ardhshëm të përshkallëzimit, për mua, është një lloj protokolli”, u shpreh Reznikov.

“Ukraina si vend, dhe forcat e armatosura të Ukrainës, u bënë anëtare të NATO-s. De fakto, jo de jure (me ligj). Sepse ne kemi armatim dhe dimë se si t’i përdorim ato”, shtoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar pushtimin e tij në Ukrainë si një betejë ekzistenciale kundër vendeve perëndimore që duan të dobësojnë Rusinë.

Ukraina, prej vitesh, ka kërkuar t’i bashkohet aleancës ushtarake të SHBA-së, Kanadasë dhe 28 vendeve evropiane, diçka që Presidenti Vladimir Putin e ka përshkruar si një kërcënim sigurie për Rusinë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar anëtarësim të shpejtë në aleancë, por është e paqartë nëse anëtarët e NATO-s do ta konsiderojnë seriozisht edhe pas përfundimit të luftës, pavarësisht premtimeve për mbështetje.

Neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se një sulm i armatosur kundër çdo anëtari duhet të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve.

Reznikov, megjithatë, mohoi se komentet e tij do të shiheshin si të diskutueshme, jo vetëm nga Rusia, por, ndoshta, nga vetë NATO, pasi aleanca ka ndërmarrë hapa për të mos u përfshirë si palë në konflikt.

“Pse do të ishte e diskutueshme? Është e vërtetë. Është një fakt”, tha Reznikov. “Jam i sigurt se në të ardhmen e afërt do të bëhemi anëtarë të NATO-s, de jure”.