BOTA, 15 Nëntor 2023, 11:48

Refugjatët nuk do të shkojnë në Ruanda, Gjykata Supreme në Mbretërinë e Bashkuar rrëzon qeverinë

Refugjatët nuk do të shkojnë në Ruanda, Gjykata Supreme

Mbretëri e Bashkuar- Gjykata Supreme vendosi kundër planit të qeverisë për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda, duke e shpallur të paligjshëm. 

Plani ishte hartuar për të dërguar kryesisht azilkërkuesit që vijnë në MB me gomone, për t'u shqyrtuar ndërkohë që qëndronin në Ruanda. 

Pas zbarkimit në Ruanda, ata do të mund të kërkonin azil atje, të ktheheshin në shtëpitë e tyre, ose të kërkonin azil në një vend të tretë - jo në Mbretërinë e Bashkuar.

Por Lord Reed, president i gjykatës, thotë se ka një "rrezik real", që azilkërkuesit mund të dërgohen nga Ruanda në vendet nga të cilat janë larguar fillimisht. 

Principi i moskthimit të refugjatëve në vendet e tyre të origjinës, nga ku largohen, nëse ata do të ishin vërtetë në rrezik abuzimi, është i parashikuar në disa ligje britanike. 

Një vend mund të kualifikohet si një vend i tretë i sigurt, vetëm nëse nuk i nënshtron refugjatët ndaj rikthimit në vendin e origjinës. 

Sipas gjykatës, Ruanda ka një zbatim të dobët të të drejtave të njeriut. Policisë i është dashur të paralajmërojë azilkërkuesit për kërcënime me vdekje, sipas Lord Reed. Ka gjithashtu shqetësime edhe në lidhje me lirinë e mediave dhe politike në Ruandë, shton ai. 

Që nga shpallja në vitin 2022, plani i qeverisë britanike ka hasur në sfida ligjore - gjykata fillimisht e vlerësoi të ligjshëm, por më pas Gjykata e Apelit e ktheu vendimin.

Gjykata Supreme tashmë ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe ky plan nuk do të zbatohet.  

Qeveria pritet të ketë një përgjigje, në atë që e quan përpjekje për të ndaluar gomonet. 

Reagimi i qeverisë

Kryeministri Rishi Sunak ka reaguar menjëherë pas vendimit të Gjykatës Supreme me anë të një deklarate, ku sqaron se qeveria do të ndërmarrë hapat e rradhës.

"Ky nuk ishte vendimi që ne donim, por në muajt e fundit kemi planifikuar për çdo vendim dhe mbetemi të vendosur për të ndaluar anijet/gomonet.

Emigracioni i paligjshëm shkatërron jetë dhe u kushton taksapaguesve britanikë, miliona paund çdo vit. Ne duhet t'i japim fund dhe do të bëjmë gjithçka duhet për ta arritur këtë", deklaron ndër të tjera Sunak. 

Në deklaratë, kryeministri shprehet se Gjykata Supreme ka konfimuar se principi i dërgimit të azilkërkuesve në një vend të tretë të sigurtë, nuk është i paligjshëm, çka konfirmon pikëpamjet e qeverisë.

Sunak deklaroi se qeveria do të bëjë gjithçka është e mundur për një marrëveshje të re me Ruandën.