BOTA, 8 Maj 2024, 09:48

“Raketë, dron, raketë”, zbërthehet plani i zyrtarëve ukrainas për të vrarë Zelenskyn

“Raketë, dron, raketë”, zbërthehet plani i

Zyrtarët ukrainas që u arrestuan ditën e djeshme, sipas autoriteteve në Kiev kishin planifikuar të vrisnin jo vetëm Presidentin Volodymyr Zelensky, por edhe kreun e shërbimeve inteligjente të ushtrisë ukrainase, Kirill Budanov dhe kreun e shërbimeve sekrete ukrainase, Vasyl Maliuk.

Siç raporton Guardian, operacioni u organizua nga oficerët e Shërbimit Sekret Rus (FSB) Maxim Mishustin, Dmytro Perlin dhe Alexei Kornev.

Sipas të njëjtit burim, plani ishte që të gjendej dikush në mjedisin përreth Zelenskit, optimale për ta do të ishte nga Garda Presidenciale, për ta vrarë më pas Presidentin.

Ndërkohë, për Budanovin dhe objektivat e tjerë plani ishte që vrasja e tyre të kryhej me goditje raketore, me një dron kamikaz dhe në fund me një sulm tjetër raketor që do të eliminonte provat edhe për dronët.

Në bisedat e përgjuara, Perlin i referohet sulmit me raketa që synonte Budanovin si "zogu i madh" dhe sulmin me dron si "zogu i vogël". Ai citohet të ketë thënë se “urdhri është për raketë, dron, raketë”.

Një nga dy ukrainasit e arrestuar thuhet se është një kolonel që ishte takuar fshehurazi me Kornevin para vitit 2022 në një vend fqinj evropian.

Arrestimi i zyrtarëve ukrainas që punonin për llogari të Rusisë dhe komplotonin vrasjen e Presidentit të Ukrainës, vjen pasi Zelensky u vendos nga Moska në listën e personave në kërkim.