TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Autoritetet ruse njoftuan se Ukraina kreu gjatë natës dhe në orët e para të ditës së sotme sulme me raketa lundrimi ndaj objekteve industriale në qytetin e Volgogradit, në jug të Rusisë.
Guvernatori i rajonit, Andrei Bocharov, deklaroi se të paktën 10 persona mbetën të plagosur dhe se një fabrikë pësoi dëme në objektet e saj të prodhimit.
Sipas tij, në sulm u përdorën “objekte fluturuese me shpejtësi të lartë”, duke iu referuar me gjasë raketave balistike.
Bocharov bëri të ditur se në zonë shpërthyen disa zjarre, të cilat u shuan nga ekipet e emergjencës.
Ai shtoi se ndërtesat e banimit nuk u prekën, por nuk dha detaje mbi kompaninë që ishte objektiv i sulmit.
Mediet ruse dhe ukrainase, duke cituar burime jozyrtare, raportuan se objektivi ishte fabrika ruse e armëve “Titan-Barrikady”.
Portali rus “Astra” publikoi pamje ku shiheshin shtëllunga tymi që ngriheshin nga kompleksi industrial.
Sipas të njëjtit burim, sulmet u kryen me raketa balistike ukrainase të tipit “Flamingo”, bazuar në analizën e fotove dhe videove të publikuara.
Këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Fabrika “Titan-Barrikady” prodhon komponentë për sistemet raketore ruse “Iskander”, “Yars” dhe “Topol-M”, të cilat, në varësi të konfigurimit, mund të mbajnë edhe koka bërthamore.
Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj objekteve ushtarake dhe industriale brenda territorit rus, ndërsa vazhdon të përballet me pushtimin në shkallë të gjerë të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.