TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se Perëndimi, me NATO-n në krye, po përgatitet në mënyrë aktive për një luftë kundër Rusisë.
Duke folur para qindra oficerëve të rinj të ushtrisë ruse në Kremlin, Putini tha se vendet e Aleancës deri më tani, janë kufizuar vetëm në mbështetjen e Ukrainës.
“Por, në Perëndim po flitet hapur se po përgatiten për luftë kundër nesh dhe po rrisin buxhetet ushtarake dhe ofensive”, tha ai.
Presidenti rus akuzoi NATO-n dhe vendet e Bashkimit Evropian se po përdorin, siç i cilësoi ai, pretendime të rreme për një kërcënim ushtarak nga Rusia, me qëllim justifikimin e rritjes së shpenzimeve për mbrojtje.
Sipas të dhënave të cituara, gati 40% e shpenzimeve buxhetore të Rusisë aktualisht shkojnë për ushtrinë, armatimin dhe sigurinë.
Megjithatë, Putini theksoi se Moska mbështet një sistem shumëpolar të marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili, sipas tij, garanton sigurinë ushtarake të çdo shteti.
“Ne jemi të gatshëm të reagojmë në mënyrë të shpejtë dhe të përshtatshme ndaj çdo kërcënimi të jashtëm dhe të brendshëm”, paralajmëroi ai.
Deklaratat vijnë ndërsa lufta në Ukrainë, e nisur me urdhër të Putinit në shkurt 2022, vijon ende pa një fund të qartë, duke nxitur vendet e NATO-s dhe BE-së, të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake, përballë rreziqeve të mundshme të zgjerimit të konfliktit.
Akuza të reja ndaj Ukrainës dhe tensione në rritje
Në një takim të veçantë me zyrtarë qeveritarë, Putini akuzoi Ukrainën, se po godet objektiva civile brenda territorit rus, duke pretenduar se kjo lidhet me përkeqësimin e situatës në frontin e luftës.
Sipas Kremlinit, ai urdhëroi marrjen e masave për të minimizuar ndikimin e sulmeve ukrainase.
Nga ana e saj, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj industrisë së naftës dhe infrastrukturës ushtarake ruse, me synim ndërprerjen e furnizimeve për forcat ruse dhe uljen e të ardhurave energjetike që financojnë luftën e Moskës.
Situata mbetet veçanërisht e tensionuar në Krime, gadishullin e Detit të Zi, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014 dhe të përdorur si një bazë kyçe ushtarake.
Sipas autoriteteve ukrainase, synimi i Kievit është izolimi i Krimesë përmes sulmeve me dronë.
Ndërkohë, në Krime është kufizuar furnizimi me karburant për qytetarët, ndërsa autoritetet kanë vendosur edhe orare për ndërprerje të energjisë elektrike.
Në qytetin Voronezh, në Rusinë perëndimore, një sulm me raketë ukrainase ka dëmtuar dje një fabrikë armësh, në një tjetër zhvillim që tregon përshkallëzimin e konfliktit.