BOTA, 14 Nëntor 2024, 10:18

Pushtet i plotë republikan në Kongres, Trump kërkon mandat të tretë? Dhe ish-demokratë në qeveri

Pushtet i plotë republikan në Kongres, Trump kërkon mandat

Donald Trump ka nominuar aleatë të tjerë në qeverinë e tij të re, ndërsa përgatitet të betohet si president i Amerikës në janar.

Përmes një statusi në platformën e tij, zyrtarizoi Marco Rubio si Sekretar të Departamentit të Shtetit, i cili do të ketë në dorë politikën e jashtme dhe diplomacinë e Shteteve të Bashkuara. Tulsi Gabbard, një ish demokrate, është zgjedhur nga Trump si drejtoreshë e inteligjencës kombëtare. Kongresmeni Matt Gaetz është nominuar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ka dhënë dorëheqjen nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Më herët, nominoi Elon Musk në dikasterin për eficencë qeveritare, Pete Hegseth si Sekretar Mbrojtje, Kristi Noem në drejtim të Departamentit të Brendshëm, John Ratclife si drejtor të CIA-s, gjithashtu edhe anëtarë të tjerë. Plotësimi i ekipit qeveritar vjen në një kohë kur Republikanët zyrtarizuan kontrollin e plotë të Kongresit me mazhorancë të konfirmuar në Senat dhe Dhomë të Përfaqësuesve.

Kjo duket se zgjoi dhe aspiratën e Donald Trump për një mandat të tretë, pavarësisht se me ligjet aktuale një person mund të shpërbejë si president vetëm për 2 të tilla. “Besoj se nuk do të garoj sërish, vetëm në rast se ju thoni: ‘Ai është i mirë dhe duhet të bëjmë diçka”, u tha presidenti i zgjedhur disa ligjvënësve republikanë që reaguan duke qeshur.

“Është gjithmonë mirë që të fitosh. Ka shumë miq të mirë në këtë dhomë. Siç e dini, ne kemi shifra historike. Veçanërisht për president. Ne fituam votën popullore, gjë e cila është e mirë, pasi Republikanët nuk supozohet të marrin mazhorancën”, tha Donald Trump, president i Zgjedhur i SHBA.

Ende pa u betuar, Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë. Ai bisedoi për dy orë kokë më kokë me presidentin në largim, Joe Biden, i cili i premtoi një tranzicion pushteti sa më të lehtë të mundshëm.