BOTA, 23 Mars 2026, 11:00

Përplasja/ “Bisedat me dyer të mbyllura mund të përfundojnë te Rusia”, Politico: BE kufizon aksesin e Hungarisë në informacione sensitive

Përplasja/ “Bisedat me dyer të mbyllura mund të

Bashkimi Evropian ka nisur të kufizojë aksesin e Hungarisë në informacione sensitive dhe të organizojë takime diplomatike në formate më të vogla mes shteteve anëtare, pasi shtohen shqetësimet se të dhëna nga biseda “me dyer të mbyllura” mund të përfundojnë te Rusia, zbulon një artikull i Politico.

Zhvillimet vijnë pas deklaratave të kryeministrit polak Donald Tusk, i cili foli për dyshime të kahershme se qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orbán mund të ketë përcjellë informacione drejt Moskës. Në një postim në platformën X, ai theksoi se lajmi që bashkëpunëtorë të Orbán informojnë Rusinë për mbledhjet e Këshillit Europian “nuk duhet të habisë askënd”.

Sipas pesë diplomatëve dhe zyrtarëve europianë që folën për Politico, nuk pritet një reagim zyrtar i BE-së ndaj këtyre akuzave, për të shmangur ndikimin e mundshëm në zgjedhjet hungareze të 12 prillit. Megjithatë, shqetësimi për rrjedhje informacioni drejt Kremlinit mbetet i lartë.

Një raport i The Washington Post thekson se qeveria e Orbán ka ruajtur kontakte të ngushta me Moskën gjatë luftës në Ukrainë. Sipas të njëjtit burim, ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó dyshohet se përdorte pushimet gjatë takimeve ndërkombëtare për të informuar homologun rus Sergey Lavrov.

Këto shqetësime kanë çuar në rritjen e përdorimit të formateve më të vogla diplomatike mes vendeve me qëndrime të përbashkëta, në vend të takimeve me të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së. Sipas një zyrtari europian, kjo shpjegon forcimin e bashkëpunimeve si E3, E4, E7, E8, formati i Vajmarit, NB8 dhe JEF.

Formati i Vajmarit përfshin përfshin Francën, Gjermaninë dhe Poloninë, ndërsa NB8 përbëhet nga tetë vende të Evropës Veriore dhe Baltike. JEF është një forcë ekspedicionare e përbashkët e dhjetë vendeve të Evropës Veriore.

Ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë Gabrielius Landsbergis deklaroi për Politico se që në vitin 2024 kishte marrë paralajmërime për mundësinë e rrjedhjes së informacionit nga pala hungareze drejt Rusisë. Ai shtoi se zyrtarët europianë kufizonin informacionet që ndanin kur Péter Szijjártó ishte i pranishëm.

Sipas tij, edhe përpara samitit të NATO në Vilnius në vitin 2023, u ndërmorën hapa për të përjashtuar delegacionin hungarez nga diskutime sensitive.

Ndërkohë, grupi i njohur si “Nëntëshi i Bukureshtit”, që përfshin vende të krahut lindor të NATO-s, ka shqyrtuar mundësinë e largimit të Hungarisë nga ky format për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mbështetjen për Ukrainën.

Nga ana tjetër, ministri hungarez për Çështjet Europiane János Bóka i quajti raportimet “fake news”, duke i cilësuar si reagim të dëshpëruar ndaj rritjes së mbështetjes për partinë Fidesz gjatë fushatës zgjedhore.

Edhe Péter Szijjártó mohoi raportin e The Washington Post, duke akuzuar mediat për përhapjen e “teorive konspirative”.

Sipas burimeve diplomatike, nuk përjashtohet që BE të shtrëngojë edhe më tej aksesin e Hungarisë në informacione sensitive. Një diplomat theksoi se po shqyrtohet klasifikimi më i rreptë i dokumenteve, si një masë që mund të ndihmojë në parandalimin e rrjedhjeve dhe në lehtësimin e hetimeve përkatëse.