TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Parlamenti i Rusisë ka miratuar sot një ligj që u lejon autoriteteve të konfiskojnë pronat e qytetarëve rusë që jetojnë jashtë vendit, nëse ata konsiderohen se veprojnë kundër interesave të shtetit.
Kritikët e kanë cilësuar këtë hap, si një përpjekje për të mbajtur të heshtur, kundërshtarët e pasur të Kremlinit në mërgim.
Ligji u miratua nga Dhoma e Ulët e parlamentit rus, Duma e Shtetit.
Sipas legjislacionit të ri, rusët që jetojnë jashtë vendit mund të humbasin pronat e tyre, nëse publikisht dënojnë luftën në Ukrainë.
Ligji aktual rus, parashikon konfiskimin e aseteve për disa qytetarë jashtë vendit, për shembull ata të cilët klasifikohen si “agjentë të huaj” ose që shkelin detyrimet e tyre ligjore apo bashkëpunojnë me organizata të padëshiruara.
Megjithatë, ndryshimet e reja e zgjerojnë ndjeshëm këtë fushë, pasi veprimi kundër interesave të Moskës, mund të interpretohet në mënyrë të gjerë.
Kryetari i Dumës së Shtetit, Vyacheslav Volodin deklaroi se 13 vepra të reja penale tani, përbëjnë bazë për sekuestrimin e pasurive të rusëve jashtë vendit, përfshirë fyerjen e ushtarakëve dhe oficerëve rusë, thirrjet për ekstremizëm dhe terrorizëm, nxitjen e urrejtjes ose armiqësisë, si dhe thirrjet publike për veprime që synojnë cenimin e integritetit territorial të Rusisë.
Volodin, prej vitesh ka kërkuar ndëshkimin e qytetarëve kritikë që kanë “ikur” nga vendi dhe që, sipas tij, besojnë se janë të sigurt jashtë Rusisë.
“Sot, kemi miratuar një ligj federal që shërben për mbrojtjen e vendit tonë”, tha ai.
Sipas politologut Sergei Markov, i afërt me Kremlinin, ligji i ri hyn në fuqi më 1 shtator.
“Ata do të duhet të shesin gjithçka shpejt brenda tre muajsh”, tha ai, duke iu referuar rusëve jashtë vendit.