TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Parlamenti Evropian vendosi sot, më 21 janar, të ngrijë marrëveshjen tregtare mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Mercosur-it, pasi një shumicë shumë e ngushtë, vetëm 10 eurodeputetë diferencë, vendosi ta dërgojë projekt-marrëveshjen në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së për të vlerësuar bazën e saj ligjore.
Në favor të referimit të marrëveshjes në Gjykatën e BE-së votuan 334 eurodeputetë, kundër 324, ndërsa pati 10 abstenime.
U deshën më shumë se 25 vite negociata të pandërprera, shtyrje të panumërta dhe përplasje brenda vetë BE-së që shtetet anëtare të arrinin një marrëveshje për traktatin tregtar mes BE-së dhe vendeve të Mercosur-it rreth dy javë më parë.
Bëhet fjalë për një marrëveshje gjigante tregtare me vendet e këtij blloku të Amerikës Latine, që përfshin Brazilin, Argjentinën, Paraguain dhe Uruguain.
Megjithatë, seanca plenare e Parlamentit Evropian në Strasburg vendosi të caktojë edhe një pengesë tjetër, për të cilën askush nuk mund të thotë me siguri nëse do ta vonojë apo do ta varrosë përfundimisht këtë marrëveshje të madhe tregtare, e cila mbulon një treg prej rreth 700 milionë qytetarësh.
Edhe pse Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së (shtetet anëtare) e mbështesin marrëveshjen, për hyrjen e saj të plotë në fuqi kërkohet edhe miratimi i Parlamentit Evropian.
Parlamenti Evropian nuk votoi sot për ratifikimin ose jo të marrëveshjes, por për dërgimin e saj në Gjykatën e BE-së, e cila do të vendosë nëse ajo është në përputhje me të drejtën evropiane. Një vendim që mund të zgjasë deri në dy vjet.
Sipas disa eurodeputetëve, kjo periudhë kohore barazohet praktikisht me refuzimin e marrëveshjes. Ndërkohë, në Strasburg nuk përjashtohet as mundësia që gjykata më e lartë e BE-së të kërkojë ndryshime në tekstin e marrëveshjes, skenar që do ta vononte edhe më tej gjithë procesin.