BOTA, 29 Qershor 2026, 18:22

OBSH: Vapa ekstreme mund të ketë shkaktuar mbi 1.300 vdekje shtesë në Evropë

OBSH: Vapa ekstreme mund të ketë shkaktuar mbi 1.300 vdekje

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se temperaturat ekstreme mund të jenë përgjegjëse për qindra vdekje shtesë në Evropë.

“Mbi 1.300 vdekje shtesë janë regjistruar që nga 21 qershori dhe lidhen me temperaturat e larta në Evropë”, shkroi Tedros në rrjetin X.

“Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale. Aktualisht, 150 milionë njerëz jetojnë nën ndikimin e vapës ekstreme – qindra kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet energjetike po mbingarkohen”, shtoi ai.

Gjatë fundjavës së shkuar, në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Çekinë, janë thyer rekordet e temperaturave, duke arritur ose tejkaluar 40 gradë Celsius.

Autoritetet çeke u bënë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetin fizik dhe lëshuan paralajmërime për smog në pjesën qendrore dhe veriore të vendit, për shkak të niveleve të larta të ozonit pranë sipërfaqes së tokës, të shkaktuara nga vapa.

Në Gjermani u reduktuan udhëtimet me tren në një linjë kryesore në landin perëndimor, Nordrhajn-Vestfalenit, ndërsa në qytetin lindor të Lajpcigut u pezullua qarkullimi i tramvajeve.

Policia e Berlinit përdori topa uji për t’i ndihmuar banorët e kryeqytetit të freskoheshin.

Sipas mediave lokale, shumë njerëz qëndruan brenda në shtëpi dhe shmangën daljet jashtë deri pas perëndimit të diellit.

Kompania franceze e shpërndarjes së energjisë, Enedis, njoftoi të dielën pasdite se rreth 36.000 familje në veri dhe në qendër të Francës kanë mbetur pa energji elektrike.

Qeveria e Hungarisë tha se centrali bërthamor Paks në këtë vend, ka ulur prodhimin të dielën, për shkak të temperaturës së lartë të lumit Danub – uji i të cilit përdoret për ftohje.

Tedros tha se stresi nga nxehtësia, shpesh quhet “vrasës i heshtur”, duke shtuar se shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat në Evropë nuk janë ndërtuar për të përballuar temperatura të tilla.

“I nxitur nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, fenomeni i valëve të të nxehtit që dikur ndodhte një herë në një brez, tani po përsëritet pothuajse çdo vit”, tha ai.

Agjencia e lajmeve, Reuters, citoi disa shkencëtarë të kenë thënë se vala e të nxehtit, e cila nisi më 20 qershor, ka qenë më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë./ REL