BOTA, 27 Mars 2026, 12:27

Ndryshon tradita/ Trump bëhet presidenti i parë amerikan në detyrë që firmos në kartëmonedha, Sekretari i Thesarit: Nderim për arritjet historike të vendit tonë

Ndryshon tradita/ Trump bëhet presidenti i parë amerikan në

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të hyjë në histori si presidenti i parë në detyrë që vendos firmën e tij në kartëmonedhat amerikane, sipas një njoftimi të Departamentit të Thesarit.

Firma e Trump do të shfaqet përkrah asaj të Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, në një lëvizje të paprecedentë që, sipas autoriteteve, lidhet me përgatitjet për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara.

“Nuk ka mënyrë më të fuqishme për të nderuar arritjet historike të vendit tonë dhe të Presidentit Donald J. Trump sesa përmes kartëmonedhave që mbajnë emrin e tij”, deklaroi Bessent.

Kartëmonedhat e reja nga qershori

Kartëmonedhat e para 100-dollarëshe me firmat e Trump dhe Bessent pritet të dalin në qarkullim në muajin qershor, ndërsa më pas do të ndiqen edhe prerje të tjera.

Aktualisht, në qarkullim janë kartëmonedha që mbajnë firmat e ish-sekretares së Thesarit të administratës së Joe Biden, Janet Yellen, si dhe të Lynn Malerba.

Ndryshim nga tradita historike

Që nga viti 1861, kartëmonedhat amerikane kanë mbajtur tradicionalisht firmat e zyrtarëve të Departamentit të Thesarit, jo të presidentit në detyrë.

Vendimi i ri shënon një devijim nga kjo praktikë e gjatë dhe konsiderohet pjesë e një strategjie më të gjerë të administratës për të lidhur emrin e Trump me iniciativa shtetërore dhe simbole publike.

Në prag të 250-vjetorit të SHBA-së, autoritetet e konsiderojnë këtë hap si një mënyrë simbolike për të theksuar arritjet historike të vendit dhe lidershipit aktual.