TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Salla e re e vallëzimit që po ndërtohet në Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Donald Trump, pritet të kushtojë deri në 600 milionë dollarë, nga të cilat gjysma do të financohet nga fondet publike, në kundërshtim me deklaratat e mëparshme të presidentit amerikan, shkruan sot Washington Post.
Sipas një përmbledhjeje të projektit të përgatitur për administratën republikane nga kontraktori dhe të siguruar nga gazeta, kostoja e ndërtimit ishte vlerësuar në 600 milionë dollarë që në fillim të marsit, me gjysmën e shumës që do të mbulohej nga taksapaguesit amerikanë.
Dokumentet e kompanisë Clark Construction tregojnë se vlerësimet e brendshme të kostos kanë qenë dukshëm më të larta sesa ato që janë bërë publike nga zyrtarët e administratës, qoftë në deklarata apo dokumente gjyqësore, raportoi Washington Post.
Sipas të njëjtave dokumente, që në fillim projekti ishte planifikuar të mbështetej në një masë të madhe në paratë e taksapaguesve. Kostoja e tij, një nga projektet më ambicioze në Shtëpinë e Bardhë në më shumë se një shekull, vazhdon të rritet.
Fillimisht, projekti parashikohej të financohej nga donacione private, me një buxhet prej 200 milionë dollarësh, por më pas kjo shumë u dyfishua në 400 milionë dollarë.
Në janar, Donald Trump e cilësoi projektin si një dhuratë për Shtetet e Bashkuara dhe e ka mbrojtur publikisht me forcë.
I pyetur nga Washington Post, Shtëpia e Bardhë përsëriti se financimi do të vinte nga “presidenti Trump dhe patriotë bujarë amerikanë, në vlerën rreth 400 milionë dollarë”. Nga ana tjetër, kontraktori deklaroi se detajet janë konfidenciale dhe i referoi çdo pyetjeje qeverisë.
Në tetor, Trump urdhëroi prishjen e krahut lindor për të ndërtuar në vend të tij një sallë vallëzimi me kapacitet për 1.000 persona, e destinuar për pritje dhe darka zyrtare.
Organizata jofitimprurëse National Trust for Historic Preservation, e cila ka mandat nga Kongresi për mbrojtjen e ndërtesave historike, ngriti padi në dhjetor, duke argumentuar se qeveria amerikane nuk ka respektuar kërkesat ligjore për vlerësim dhe nuk ka marrë miratimin e Kongresit për projektin.
Në fillim të prillit, gjyqtari federal Richard Leon urdhëroi pezullimin e punimeve për ndërtimin e sallës së vallëzimit. Në vendimin e tij ai theksoi: “Presidenti i Shteteve të Bashkuara është kujdestar i Shtëpisë së Bardhë për brezat e ardhshëm të familjeve presidenciale. Megjithatë, ai nuk është pronari i saj!”.
Duke vlerësuar se projekti kërkon miratimin e Kongresit, gjyqtari shtoi se “nuk është shumë vonë që të jepet kjo leje për vijimin e punimeve”.
“E ka GABIM!”, reagoi ashpër Donald Trump ndaj vendimit, duke këmbëngulur se kurrë nuk është kërkuar miratimi i Kongresit për asnjë ndërhyrje, të vogël apo të madhe, brenda Shtëpisë së Bardhë.