BOTA, 10 Maj 2026, 15:06

Mes spekulimeve për shëndetin dhe vendndodhjen e tij, Mojtaba Khamenei zhvillon takim me komandantin e lartë ushtarak

Mes spekulimeve për shëndetin dhe vendndodhjen e tij, Mojtaba Khamenei

Lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka zhvilluar një tjetër takim me një komandant të lartë ushtarak, ndërsa vazhdojnë spekulimet mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe vendndodhjen, për shkak të mungesës së daljeve publike që prej marrjes së detyrës në muajin mars.

Sipas agjencive iraniane IRIB dhe Fars, Khamenei është takuar me gjeneralmajorin Ali Abdollahi, i cili e ka informuar mbi gatishmërinë e forcave të armatosura iraniane.

Sipas raportimeve, lideri iranian ka vlerësuar forcat ushtarake të vendit dhe ka paralajmëruar “masa të reja” për përballimin e armiqve, pa dhënë detaje konkrete mbi natyrën e tyre.

Nga takimi nuk janë publikuar fotografi apo pamje video.

Gjeneralmajori Abdollahi deklaroi se forcat iraniane ndodhen në gatishmëri të lartë dhe disponojnë pajisjet e nevojshme për t’u përballur me çdo veprim armiqësor nga “armiqtë amerikano-sionistë”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo “gabim strategjik” apo sulm ndaj Iranit do të marrë një përgjigje “të shpejtë, të ashpër dhe të fuqishme”.

Takimi është i dyti i raportuar ditët e fundit. Më herët, presidenti iranian Masoud Pezeshkian kishte deklaruar se kishte zhvilluar një bisedë dy orë e gjysmë me Khamenein, pa specifikuar kohën e takimit.

Raportimet vijnë në një moment kur shërbimet amerikane të inteligjencës kanë vlerësuar se Mojtaba Khamenei luan një rol kyç në hartimin e strategjisë ushtarake të Iranit dhe në menaxhimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e konfliktit.