BOTA, 2 Qershor 2026, 16:40

Mediat gjermane: Konsiderohet mik i Putinit, ish-kancelari Gerhard Schröder ndodhet në Moskë

Mediat gjermane: Konsiderohet mik i Putinit, ish-kancelari Gerhard Schröder

Ish-kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schröder, ndodhet në Moskë, sipas një raportimi të medias gjermane n-tv.

82-vjeçari, i cili ka qenë pjesë e Partisë Socialdemokrate (SPD), konsiderohet si një mik i afërt i presidentit rus Vladimir Putin. Në të kaluarën ai ka mbajtur poste edhe në kompani ruse të energjisë, përfshirë Gazprom.

Sipas raportimit, nuk dihet ende arsyeja e saktë e udhëtimit të tij në Rusi. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që vizita të lidhet me Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, i cili nis më 3 qershor.

Më herët, qeveria gjermane ka mohuar raportimet se Putin i kishte propozuar Schröder-it një rol ndërmjetësues për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, në Gjermani kanë shkaktuar debat raportimet për pjesëmarrjen e disa përfaqësuesve politikë në forum, ndërsa zyrtarë të sigurisë kanë deklaruar se udhëtimet në Rusi mund të sjellin mbikëqyrje nga shërbimet e inteligjencës.