BOTA, 27 Gusht 2025, 22:04

Masakra në kishën katolike në Minneapolis/ Autori kishte lënë video të dhunshme, skica të kishës dhe mesazhe të errëta. FBI zbulon motivin

Masakra në kishën katolike në Minneapolis/ Autori kishte

Autori i masakrës në kishën e shkollës katolike në Minneapolis, Minnesota, kishte lënë pas video online me përmbajtje të dhunshme, shënime që përmendnin vetëvrasjen, “mendime dhe ide jashtëzakonisht të dhunshme”, një letër ndjese drejtuar familjes së tij dhe një skicë të bërë me dorë që paraqiste planin e brendshëm të një kishe. Nuk është ende e qartë nëse skica i përket kishës së Annunciation Catholic School, ku ndodhi sulmi. Lajmi raportohet nga NBC, duke cituar burime të zbatimit të ligjit.

Sipas New York Post, janë zbuluar edhe prova të tjera të mundshme që lidhen me autorin. Një video e publikuar në internet që dyshohet të jetë nga ai, përmban mbishkrime si “vrite Donald Trump” dhe “për fëmijët”, të shkarravitura mbi revista që trajtojnë temat e armëve. Video të tjera të publikuara në YouTube tregojnë një arsenal armësh, përfshirë një pushkë gjysmë-automatike dhe një armë gjahu, dhe reflektojnë një obsesion me autorët e masakrave të mëparshme, si Adam Lanza, autori i masakrës në shkollën Sandy Hook.

Policia po heton për të vërtetuar nëse këto video, të publikuara vetëm pak orë para sulmit, janë me të vërtetë të lidhura me sulmuesin.

Në një nga videot, dallohet një dorë që flet nëpër faqet e një fletoreje të kuqe, e cila është vendosur mbi disa skema që duket se paraqesin pjesë armësh. Çdo faqe është mbushur me shënime të pakuptueshme, ndërsa në sfond shihet tym që ngrihet nga fundi i ekranit, dhe personi që flet faqet herë pas here kollitet dhe qesh në mënyrë manike.

Sipas policisë lokale, të paktën dy nga dyert e kishës ku ndodhi masakra ishin bllokuar nga jashtë me dërrasa të trasha (5x10 cm), duke lënë të kuptohet se autori mund t’i ketë barrikaduar me qëllim për të penguar daljen.

FBI: Sulmi ishte akt terrorizmi dhe krim urrejtjeje ndaj katolikëve
FBI ka deklaruar se sulmi në kishën katolike në Minneapolis po trajtohet si një akt terrorizmi dhe krim urrejtjeje kundër katolikëve. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i agjencisë, Kash Patel.

Mediat amerikane raportojnë se autori i sulmit, Robin Westman, 23 vjeç, i cili vrau dy fëmijë dhe plagosi 17 persona në kishën e një shkolle katolike, identifikohej si transgender. Sipas të dhënave nga rrjetet sociale, në moshën 17-vjeçare ai kishte kërkuar zyrtarisht ndryshimin e emrit nga Robert në Robin, një emër që në SHBA përdoret si për meshkuj ashtu edhe për femra.