BOTA, 15 Qershor 2026, 09:26

Marrëveshja SHBA-Iran, çmimet e naftës shënojnë rënie të ndjeshme

Marrëveshja SHBA-Iran, çmimet e naftës shënojnë


Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme pasi Pakistani, që ka ndërmjetësuar për t’i dhënë fund konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, njoftoi arritjen e një marrëveshjeje kornizë që pritet të çojë në rihapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit. 

Nafta Brent, standardi global i tregut, ra me 4.3%, duke zbritur në 83.55 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u ul me 4.9%, në 80.74 dollarë për fuçi. 

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif bëri të ditur se ceremonia zyrtare e nënshkrimit të marrëveshjes do të mbahet më 19 qershor në Zvicër. 

Ndërkohë, zv/ministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, konfirmoi në televizionin shtetëror iranian se marrëveshja me SHBA-në është finalizuar. Edhe presidenti amerikan Donald Trump reagoi në rrjetet sociale me mesazhin: “Lëreni naftën të rrjedhë!”. 

Megjithatë, ekspertët e tregut të energjisë paralajmërojnë se mungesa e detajeve konkrete mbi përmbajtjen e marrëveshjes mund të sjellë paqartësi dhe luhatje të mëtejshme në tregjet e naftës gjatë ditëve në vijim. 

Ngushtica e Hormuzit ishte mbyllur praktikisht që pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt. Pas shpërthimit të konfliktit, Teherani kishte kërcënuar me sulme ndaj anijeve që kalonin në këtë korridor detar, përmes të cilit transportohet rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë.