BOTA, 2 Maj 2024, 15:28

Macroni nuk e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë

Macroni nuk e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e përsëriti të enjten se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, duke shtuar se kjo çështje do të bëhej “legjitime”, nëse Rusia depërton përtej vijave ukrainase të frontit dhe nëse Kievi e bën një kërkesë të tillë. Ai i bëri këto deklarata në një intervistë për Economist, që u publikua më 2 maj.

Ekonomist tha se Macron e dha këtë intervistë, pasi e mbajti një fjalim javën e kaluar, kur deklaroi se Evropa është “e vdekshme” dhe “mund të vdesë”, pjesërisht për shkak të kërcënimit që paraqet agresioni rus, pasi Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.

“Nuk e hedh poshtë asnjë mundësi, sepse ne po përballemi me dikë i cili nuk e hedh poshtë asnjë mundësi”, tha Macron kur u pyet nëse ende u qëndron komenteve që i bëri në fillim të këtij viti, kur tha se nuk e përjashton mundësinë që Perëndimi të dërgojë trupa në Ukrainë. Disa analistë besojnë se Rusia mund të jetë buzë fillimit të një ofensive të re shumë të madhe në Ukrainë.

Macroni tha se “nëse Rusia vendos të shkojë më larg, ne do të detyrohemi, në çdo rast, t’ia bëjmë vetes këtë pyetje” për dërgimin e trupave në Ukrainë. Ai e përshkroi një lëvizje të tillë si “paralajmërim strategjik për homologët e mi”.

Ai e përshkroi Rusinë si një “fuqi e destabilizimit rajonal” dhe si “kërcënim për sigurinë e evropianëve”. “E kam një synim të qartë strategjik: Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë”, theksoi Macron. “Nuk do të ketë siguri në Evropë, nëse Rusia fiton në Ukrainë. Kush mund të pretendojë se Rusia do të ndalet aty? Çfarë sigurie do të ketë për vendet e tjera fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë dhe të tjerët?” pyeti ai.