BOTA, 10 Prill 2026, 09:35

Lufta/ Këshilltari i lartë i Mojtaba Khameneit dhe ish ministër i Jashtëm i Iranit ndërron jetë, pas plagëve të marra në një sulm amerikano-izraelit

Lufta/ Këshilltari i lartë i Mojtaba Khameneit dhe ish ministër i

Kamal Kharrazi, një nga figurat më të njohura të politikës së jashtme iraniane, ka ndërruar jetë pas plagëve të marra gjatë një sulmi në Teheran, sipas informacioneve të raportuara.

Kharazi, “i cili ishte plagosur më parë pas një sulmi nga armiku amerikano-sionist, ndërroi jetë disa orë më parë”, njoftuan mediat zyrtare iraniane.

Gruaja e Kharazit u vra në sulm, ndërsa ai u plagos rëndë dhe u dërgua me urgjencë në një spital, thanë zyrtarët iranianë javën e kaluar.

Në një intervistë në mars Kharazi i tha CNN se besonte se Irani mund ta mbante konfliktin për një periudhë të zgjatur dhe tha se nuk shihte vend për diplomaci. Ai parashikoi se lufta do të përfundonte vetëm përmes dhimbjes ekonomike që shkakton.

Kharrazi njihej si diplomat me përvojë të gjatë dhe si një nga arkitektët kryesorë të politikës së jashtme të Iranit në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, periudhë gjatë së cilës ai shërbeu si Ministër i Jashtëm i vendit nga viti 1997 deri në vitin 2005.

Pas largimit nga posti i ministrit, ai vijoi të mbante role të rëndësishme në strukturat këshillimore dhe strategjike të shtetit iranian. Ai ishte anëtar i Expediency Discernment Council, një institucion i rëndësishëm që ka rol ndërmjetësues dhe këshillues në sistemin politik të Iranit, veçanërisht në çështje të ndërlikuara shtetërore dhe ligjore.

Përveç kësaj, drejtonte edhe Këshillin Strategjik për Marrëdhëniet me Jashtë, një organ këshillimor që merret me orientimin e politikës së jashtme dhe që raporton drejtpërdrejt tek udhëheqja më e lartë e vendit. Sipas raportimeve, sulmi ku ai u plagos rëndë ndodhi në Teheran, ku siguria e zyrtarëve të lartë iranianë është bërë gjithnjë e më problematike. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një version të plotë zyrtar mbi mënyrën se si ndodhi sulmi, as mbi autorët e mundshëm, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në qarqet politike dhe diplomatike, pasi Kharrazi konsiderohej një figurë me ndikim të madh në linjën strategjike të Iranit dhe një këshilltar i afërt i strukturave të larta të shtetit, përfshirë edhe udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei.

Izraeli shënjestroi figura të larta iraniane gjatë sulmeve të tij drejt territorit të shtetit të Iranit, duke synuar eliminimin e liderëve të regjimit në Teheran.