BOTA, 23 Mars 2026, 09:34

Lufta/ Irani paralajmëron kundërpërgjigje ndaj çdo sulmi në sektorin energjetik, kërcënon objektivat izraelite dhe bazat amerikane

Lufta/ Irani paralajmëron kundërpërgjigje ndaj çdo sulmi

Irani do të kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi kundër sektorit të energjisë elektrike në vend, duke vënë në shënjestër impiante izraelite të prodhimit të energjisë ose njësi që furnizojnë me energji bazat amerikane në shtetet fqinje, thuhet në një deklaratë të Gardës Revolucionare.

Kjo deklaratë duket se tërheq kërcënimin e mëparshëm për të vënë në shënjestër impiantet e desalinizimit në vendet e rajonit, të cilat janë jetike për furnizimin me ujë të pijshëm në shtetet e Gjirit.

“Presidenti gënjeshtar i SHBA-së pretendoi se Garda Revolucionare synon të sulmojë impiantet e desalinizimit dhe të shkaktojë vuajtje për popujt e vendeve të rajonit”, thuhet në deklaratën e transmetuar nga mediat shtetërore.

Të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se impiantet iraniane të prodhimit të energjisë mund të bëhen objekt sulmi nëse Teherani nuk “hap plotësisht” ngushticën e Hormuzit brenda 48 orëve.

“Jemi të vendosur t’i përgjigjemi çdo kërcënimi në të njëjtin nivel”, shtuan Gardat Revolucionare, duke theksuar se kjo bëhet për të arritur “parandalimin”.

Sipas tyre, nëse forcat amerikano-izraelite vënë në shënjestër sistemin energjetik të Republikës Islamike, “ne do të godasim” sistemet e tyre të furnizimit me energji.