BOTA, 19 Janar 2023, 10:22

Leksioni nga Zelanda e Re, kryeministrja dorëhiqet pas 5 viteve në pushtet: Mundemi për aq kohë sa mundemi, pastaj është koha për të ikur

Leksioni nga Zelanda e Re, kryeministrja dorëhiqet pas 5 viteve në
Jacinda Ardern

Një leksion demokracie vjen nga vendi i largët, Zelanda e Re, ky kryeministrja e vendit tha se do të largohej, pas 5 viteve në pushtet edhe pse kishte një shumicë të plotë në parlament për të mabaruar mandatin e dytë. Largimi i politikanes 43-vjeçare,  Jacinda Ardern, ndoshta nuk është asgjë e re në vendet demokratike, por flet shumë për shqipërinë, ku politikanët ëndërrojnë të vdesin në pushtet dhe nuk e njohin dorëheqjen edhe kur janë mbuluar me dështime.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern e njoftoi dje largimin nga detyra muajin e ardhshëm, pas më shumë se pesë vitesh në pushtet. Ajo, në një deklaratë për media, tha se do të japë dorëheqje nga detyra si kryeminsitrja e vendit më 7 shkurt. 

“Për mua, është koha. Thjesht nuk kam energji dhe për katër vite të tjera. Unë jam njeri. Ne japim atë që mundemi për aq kohë sa mundemi, dhe pastaj është koha për të ikur. Dhe për mua është koha. Të bëhesh kryeministër është nderi më i madh i jetës sime dhe dua të falënderoj neozelandezët për privilegjin e udhëheqjes së vendit për pesë vjet e gjysmë,” tha ajo.

Jacinda Ardern u bë kryeministre e një qeverie koalicioni në vitin 2017, në moshën 37-vjeçare, përpara se të drejtonte partinë Laburiste drejt një fitoreje elektorale dhe një shumicë të plotë në parlamentin e Zelandës së Re tre vjet më vonë. Por së fundmi ajo ka parë që popullariteti i saj dhe i partisë ka rënë në në sondazhe. Ajo ka sqaruar se deri në zgjedhjet e tetorit do të vazhdojë të kryejë detyrat e saj në parlament si deputete. Partia Laburiste do të votojnë për të zgjedhur udhëheqësin e ri të dielën. Kryeministrja në largim siguroi se nuk ka asnjë arsye të fshehur pas largimit të saj.