BOTA, 7 Maj 2024, 23:17

Kryeministri izraelit: Propozimi për armëpushim i Hamasit është larg kërkesave tona

Kryeministri izraelit: Propozimi për armëpushim i Hamasit

Propozimi i fundit i Hamasit për një marrëveshje armëpushimi kishte për qëllim “të sabotonte hyrjen e forcave tona në Rafah”, pohoi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa siguroi, megjithatë, se “kjo nuk ndodhi”.

Sipas asaj që ai thotë në një video-mesazh, operacioni në Rafah ka për qëllim kthimin e pengjeve dhe eliminimin e Hamasit.

“Ne kemi vërtetuar tashmë në lirimin e mëparshëm të pengjeve se presioni ushtarak ndaj Hamasit është një kusht për kthimin e pengjeve,” tha ai, duke theksuar se propozimi i Hamasit për një armëpushim ishte “shumë larg nga kërkesat jetike të Izraelit”.

“Izraeli nuk do të lejojë Hamasin të rivendosë sundimin e tij të padrejtë mbi Rripin e Gazës. Izraeli nuk mund të pranojë një propozim që rrezikon sigurinë e qytetarëve tanë dhe të ardhmen e vendit tonë”, vuri në dukje ai.

Netanyahu tha se krahas negociatave për armëpushimin në Kajro, Izraeli vazhdon operacionet ushtarake kundër Hamasit.

Në këtë kontekst, ai e cilësoi kapjen e pikës kufitare Rafah si një “hap shumë të rëndësishëm” drejt shkatërrimit të kapaciteteve ushtarake të Hamasit.

Hamasi papritmas njoftoi ditën e djeshme se pranon një propozim për një marrëveshje armëpushimi.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi Izraelin të vazhdonte operacionin që kishte nisur vetëm disa orë më parë në Rafah, duke kërkuar evakuimin e pjesshëm të tij.

Sot, operacionet e ushtrisë izraelite u përshkallëzuan në zonë, duke pushtuar dhe bllokuar kalimin strategjik Rafah, e vetmja “portë” e hyrjes dhe daljes në Egjipt.

Departamenti i Shtetit: Ne ia bëmë të qartë qëndrimet tona Izraelit

Më herët, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara i kishin bërë të qarta pikëpamjet e tyre Izraelit në lidhje me një operacion tokësor në shkallë të gjerë në Rafah.

“Ne vazhdojmë të besojmë se një marrëveshje pengjesh është në interesin më të mirë të popullit izraelit dhe palestinez. Kjo do të çojë në një armëpushim të menjëhershëm dhe do të lejojë një rritje të ndihmës humanitare për Gazën”, tha zëdhënësi në një email.