BOTA, 25 Gusht 2025, 18:31

Kryeministri Bayrou përballet me votëbesim më 8 shtator! Fati i qeverisë franceze në rrezik për shkak të reformave të ashpra buxhetore

Kryeministri Bayrou përballet me votëbesim më 8 shtator! Fati i

Kryeministri francez François Bayrou, do të përballet me një votëbesim të rëndësishëm në parlament më 8 shtator, në përpjekje për të kaluar planet e tij jopopullore për stabilizimin e financave publike të vendit.

Nëse Bayrou humb votëbesimin, qeveria e tij minoritare do të bjerë, shkuan Reuters.

Kryeministri i djathtë pranoi se kërkimi i votëbesimit nga një parlament shumë i fragmentuar ishte një bast i rrezikshëm.

“Po, është e rrezikshme, por është edhe më e rrezikshme të mos bësh asgjë,” tha ai në një konferencë për shtyp, duke iu referuar, sipas tij, rrezikut të madh që i kanoset vendit nga borxhi i lartë publik.

Sipas Bayrou, votëbesimi do të tregojë nëse ai ka mbështetje të mjaftueshme për paketën e tij të kursimeve prej 44 miliardë eurosh (rreth 51.5 miliardë dollarë), ndërsa përpiqet të vërë nën kontroll një deficit buxhetor që vitin e kaluar arriti në 5.8% të PBB-së, gati dyfish i kufirit zyrtar të BE-së prej 3%.

“Jemi përballë një rreziku të menjëhershëm, të cilin duhet ta përballojmë, përndryshe nuk kemi të ardhme,” tha ai për barrën e borxhit publik. Sipas tij, vota në parlament do të tregojë nëse ligjvënësit ndajnë të njëjtën ndjesi urgjence dhe janë gati të ndjekin rrugën për përmirësim.

Me këtë njoftim të bërë të hënën, Bayrou i ka paraprirë opozitës, e cila pritej të paraqiste një mocion mosbesimi kundër planit të tij buxhetor.

Kreu i partisë së ekstremit të djathtë RN, Jordan Bardella, deklaroi se Bayrou në fakt ka shpallur “fundin e qeverisë së tij”.

“RN nuk do të votojë kurrë në favor të një qeverie që i shkakton vuajtje popullit francez,” shkroi ai në platformën X. Edhe liderja Marine Le Pen deklaroi se partia e saj do të votojë kundër Bayrou, njësoj si edhe të Gjelbrit.

Edhe e majta radikale, France Insoumise tha se kjo votë do të shënojë fundin e qeverisë.

Fati i qeverisë do të varet nga votat e socialistëve, të cilët mund të jenë vendimtarë. Nëse bashkohen me partitë e tjera të majta dhe të djathtën ekstreme për të votuar kundër, Bayrou ka gjasa të rrëzohet.

Vota e besimit vjen vetëm dy ditë para protestave të thirrura për 10 shtator, të mbështetura nga parti të majta dhe disa sindikata, përmes rrjeteve sociale. Kjo thirrje për protesta të përgjithshme po krahasohet tashmë me lëvizjen e “jelekëve të verdhë” që shpërtheu në vitin 2018 për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit dhe kostos së lartë të jetesës.

Në kuadër të masave të tij të kursimit, Bayrou ka propozuar ndër të tjera heqjen e dy festave zyrtare dhe ngrirjen e ndihmave sociale dhe shkallëve të tatimit në vitin 2026 në nivelin e vitit 2025, pa i indeksuar me inflacionin. Ai theksoi se disa nga propozimet, si heqja e festave, mund të rishikohen ose të pësojnë ndryshime.