BOTA, 24 Mars 2026, 09:25

Konflikti/ Raketat e Iranit thyejnë mburojën e Tel Avivit, Izraeli shënjestron impiantet energjetike! Çmimi i naftës tejkalon sërish 100 dollarë për fuçi

Konflikti/ Raketat e Iranit thyejnë mburojën e Tel Avivit, Izraeli

Në ditën e 25-së të luftës Irani sulmoi me raketa Tel Avivin, ku për pasojë mbetën të plagosur 6 persona. Pas këtyre sulmeve Izraeli u kundërpërgjigj duke bombarduar impiantet energjitike iraniane.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se planet për bisedime me Iranin mbeten “të rrjedhshme”, duke shtuar se çdo spekulim “nuk duhet të konsiderohet përfundimtar”.

Kjo vjen pasi presidenti i SHBA-ve dhe kryetari i parlamentit iranian kanë dhënë versione të kundërta për negociatave e mundshme mes dy vendeve mbi luftën në Lindjen e Mesme. Donald Trump më herët tha se kishte shtyrë sulmet e kërcënuara ndaj centraleve energjetike iraniane, pasi kishte pasur bisedime “produktive” me Teheranin.

Ai përmendi një “plan me 15 pika që nis nga heqja dorë nga armët bërthamore” dhe rindez shpresën për një fund të afërt të konfliktit: “Irani nuk është më një kërcënim”, tha Trump. Irani tha se këto bisedime ishin “lajme të rreme”: “Qëndrimi ynë nuk ndryshon.”

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme iraniane thotë se Teherani ka marrë “pika nga SHBA-të” përmes ndërmjetësve si një hap i mundshëm paraprak drejt bisedimeve.

Ndërkohë, çmimi i naftës u rrit sërish mbi 100 dollarë për fuçi, pasi kishte rënë të hënën kur Trump foli për herë të parë për bisedimet SHBA–Iran.

Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite ka deklaruar se ka rrëzuar të paktën 19 dronë në provincën lindore të mbretërisë, e pasur me rezerva nafte. Bahreini ka aktivizuar sirenat e alarmit për raketa, ndërsa Kuvajti ka deklaruar se mbrojtja e tij ajrore po përpiqet të rrëzojë raketat në hyrje.