BOTA, 28 Janar 2026, 22:37

Kancelari Merz: Nuk kam asnjë arsye të dyshoj në shëndetin e presidentit Trump

Kancelari Merz: Nuk kam asnjë arsye të dyshoj në shëndetin e

Kancelari gjerman, Friedrich Merz hodhi poshtë sot dyshimet mbi aftësitë e presidentit amerikan Donald Trump për të qeverisur, ndërsa thashethemet për shëndetin e 79-vjeçarit vazhdojnë të qarkullojnë.

“Në bazë të takimeve që kam pasur me presidentin Trump, nuk kam asnjë arsye çfarëdolloj qoftë për të dyshuar në shëndetin e tij”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve.

“Kam përshtypjen se ai është, po, plotësisht i aftë për të kryer detyrat e tij. Nuk kam asnjë tregues që kjo të jetë ndryshe”, shtoi kancelari Merz.

Pavarësisht sigurimeve të përsëritura nga Shtëpia e Bardhë, shëndeti i Trumpit mbetet një temë e shpeshtë debati, me pyetje nëse presidenti po shfaq shenja normale të plakjes, simptoma të lodhjes si kreu i një shteti shumë të angazhuar apo diçka më serioze.

Mavijosje në dorën e tij, të mbuluara dukshëm me grim, janë vënë re në evente publike.

Trump ia ka atribuar këto shenja përdorimit të shtuar të aspirinës, ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kishte deklaruar më herët se ato ishin shkaktuar nga shtrëngimet e shpeshta të duarve.

Raporte mediatike kanë kapur së fundmi Trumpin duke mbyllur sytë gjatë paraqitjeve publike, por presidenti ka hedhur poshtë pretendimet se e kishte zënë gjumi duke thënë se po pushonte ose ishte i mërzitur.