BOTA, 11 Prill 2024, 16:54

Ja kur do të mbahet gjyqi i parë penal kundër ish-presidentit Trump

Ja kur do të mbahet gjyqi i parë penal kundër ish-presidentit

Gjykata e Apelit në Nju Jork hodhi poshtë mbrëmë edhe një kërkesë të avokatëve të ish Presidentit Donald Trump për të shtyrë, pa një afat, gjyqin ndaj tij mbi çështjen për pagesës ndaj një aktoreje të filmave pornografikë në këmbim të heshtjes së saj. Padia e Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut Alvin Brag ka 34 akuza penale. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aron Ranen, pas përpjekjeve të dështuara për të shtyrë gjyqin, ai është planifikuar të fillojë më 15 prill.

Ish-Presidenti Donald Trump detyrohet përsëri të ndërpresë aktivitetet e fushatës presidenciale për të dalë në sallën e gjyqit. Ish-presidenti përballet me akuza penale në lidhje me një pagesë prej 130,000 dollarësh nga avokati i tij Michael Cohen ndaj yllit të filmave për të rritur, Stormy Daniels, pak para zgjedhjeve të vitit 2016. Prokurorët thonë se pagesa është bërë në këmbim të heshtjes së saj lidhur me një marrëdhënie të dyshuar jashtëmartesore me zotin Trump. Ai akuzohet se në raportet e tij financiare i ka kategorizuar këto pagesa si shpenzime ligjore.

“Sipas ligjit të Nju Jorkut është krim të falsifikosh të dhënat e biznesit me qëllim të mashtrimit dhe për të fshehur një krim tjetër. Pikërisht për këtë bëhet fjalë, rasti përmban 34 deklarata të rreme të bëra për të mbuluar krime të tjera. Këto janë krime të rënda në shtetin e Nju Jorkut, pavarësisht se kush i ka bërë ato”, thotë Alvin Bragg, Prokurori i Qarkut të Nju Jorkut. Ish-Presidenti Trump ka thënë se është i pafajshëm ndërsa çështjen e ka quajtur të motivuar politikisht. “Është turp kjo që po ndodh me vendin tonë. Kjo është ndërhyrje në zgjedhje. Ata po bëjnë gjëra që nuk janë bërë kurrë më parë në këtë vend”, thotë zoti Trump.

Kthimi i zotit Trump në sallën e gjyqit ka ngjallur debate mes njujorkezëve, të cilët kanë qëndrime të ndara mbi gjyqin. “Presidenti Trump është një qytetar si të gjithë të tjerët në Shtetet e Bashkuara. Ai duhet t’u nënshtrohet ligjeve si të gjithë ne”, thotë Shaina Jones Magrone, banore e Nju Jorkut. “Askush tjetër nuk do të ishte akuzuar. Është vetëm ai që akuzohet për diçka që nuk ka ndodhur kurrë”, thotë banori tjetër, Ruben Borukhov.Ish-prokurorja e qytetit të Nju Jorkut, Bernarda Villalona thotë se ish Presidenti Trump përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit.

“Ai mund të dënohet me më së shumti katër vite burg, për çdo akuzë. Për këto raste nuk ka dënime minimale që janë të detyrueshme. Unë kam shumë dyshime që edhe me daljen në gjyq, një gjykatës do ta dënonte me burg”, thotë zonja Villalona. Profesori i së drejtës në Universitetin e Nju Jorkut, Richard Pildes, thotë se ky gjyq është historik. “Është sigurisht e paprecedentë në historinë amerikane që një ish-president të ndiqet penalisht. Ka pasur ndjekje penale të suksesshme të ish-kryeministrave, në disa vende. Nuk është e paprecedentë nga perspektiva globale. Në Shtetet e Bashkuara nuk kemi qenë kurrë më parë në një situatë si kjo”, thotë profesor Pildes. Ndërsa ish-Presidenti përgatit mbrojtjen kundër këtyre akuzave, vëzhguesve iu mbetët të presin fundin e procesit./VOA