TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ushtria izraelite tha të mërkurën se e ka rihapur pikëkalimin Kerem Shalom me Rripin e Gazës, i cili është terminal i rëndësishëm për futjen e ndihmave humanitare, disa ditë pasi e kishte mbyllur pas një sulmi raketor nga Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – që vrau katër ushtarë izraelitë në afërsi.
Por, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë ka thënë se ende nuk janë dërguar ndihma përmes këtij pikëkalimi dhe se nuk ndodhet askush në anën palestineze të tij për t’i pranuar ato.
Punëtorët kanë ikur nga kjo pjesë gjatë një sulmi tokësor nga një brigadë izraelite e tankeve të martën, e cila e mori në kontroll pikëkalimin në afërsi, Rafah, mes Gazës dhe Egjiptit, i cili vazhdon të jetë i mbyllur.
Sulmi i kufizuar tokësor nuk përbën fillimin e pushtimit të qytetit Rafah, gjë që Izraeli është zotuar vazhdimisht se do ta bëjë.
Por, mbyllja e vazhdueshme e dy pikëkalimeve kryesore kufitare mund ta thellojnë krizën humanitare në Gazë, ku OKB-ja thotë se një “uri absolute” ka filluar të ndodhë në veri të enklavës.
Shtetet e Bashkuara e pezulluan furnizimin e Izraelit me bomba javën e kaluar, për shkak të shqetësimeve se Izraeli është afër të vendosë për ta filluar pushtimin e plotë të Rafahut.
SHBA-ja është e shqetësuar për fatin e rreth 1.3 milion palestinezëve të mbledhur në Rafah, shumica e të cilëve kanë ikur nga luftimeve në pjesët e tjera të enklavës.
Izraeli thotë se Rafah është bastioni i fundit i Hamasit dhe një pushtim i plotë i tij është i nevojshëm për ta rrënuar këtë grup.
Pikëkalimi Rafah ka qenë jetik për furnizim me ndihma humanitare prej se filloi lufta, dhe është vendi i vetëm nga i cili njerëzit mund të hyjnë dhe të dalin. Kerem Shalom është terminali kryesor i mallrave i Gazës.
Izraeli tani i ka në dorë të gjitha pikëkalimet e Gazës për herë të parë prej se i tërhoqi trupat nga ky territor gati dy dekada më parë, megjithëse e ka mbajtur një bllokadë mbi Gazën në bashkëpunim me Egjiptin pothuajse gjatë gjithë kësaj kohe.