BOTA, 24 Prill 2026, 20:55

Irani mohon dorëheqjen e Ghalibaf dhe bisedimet me SHBA, shtohen paqartësitë rreth misionit diplomatik në Pakistan

Irani mohon dorëheqjen e Ghalibaf dhe bisedimet me SHBA, shtohen

Zyra e shtypit e parlamentit iranian ka mohuar raportimet se Mohammad-Bagher Ghalibaf ka dhënë dorëheqjen nga posti i kreut të ekipit negociator me SHBA dhe Izraelin, duke theksuar gjithashtu se ende nuk është planifikuar një raund i ri bisedimesh.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër që shton paqartësinë rreth udhëtimit të ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi në Islamabad, Irani ka hedhur poshtë pretendimet se do të marrë pjesë në bisedime me një delegacion amerikan këtë fundjavë, sipas agjencisë Tasnim.

Sipas raportimeve, vizita e tij në Islamabad nuk lidhet me negociata me Shtetet e Bashkuara, por me takime me ndërmjetës pakistanezë lidhur me qëndrimin e Teheranit për përfundimin e luftës.

Në të njëjtën kohë, dy zyrtarë të lartë iranianë i kanë deklaruar New York Times se Araqchi pritet të dorëzojë një përgjigje me shkrim ndaj një propozimi amerikan për një marrëveshje paqeje.

Megjithatë, sipas të njëjtave burime, ai pritet të zhvillojë edhe një takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, si dhe me Jared Kushner, të cilët janë nisur drejt Pakistanit.