BOTA, 26 Mars 2026, 11:10

Irani kërkon përfshirjen e Hezbollahut në marrëveshjen e paqes në Lindjen e Mesme

Irani kërkon përfshirjen e Hezbollahut në marrëveshjen e

Irani ka thënë nëpërmjet ndërmjetësve të tij, se Libani duhet të përfshihet në çdo marrëveshje armëpushimi me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, duke e lidhur fundin e konfliktit me fundin e fushatës ushtarake izraelite kundër Hezbollahut.

Sipas gjashtë burimeve rajonale të njohura me qëndrimin e Teheranit, të cituara nga ‘Press TV’, u tha se Teherani po kërkon një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, që do të siguronte fundin e armiqësive jo vetëm kundër Iranit, por edhe kundër “grupeve të tjera të rezistencës” në rajon.

Një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani ende po shqyrton propozimin amerikan për t’i dhënë fund luftës gati njëmujore, duke sugjeruar se ende nuk e ka hedhur poshtë zyrtarisht planin.

Në anonimat burimet shtuan se Teherani u kishte thënë ndërmjetësve që në mesin e marsit se po kërkonte një marrëveshje që do të përfshinte edhe fundin e sulmeve izraelite ndaj Hezbollahut në Liban.

Hezbollahu u themelua në vitin 1982 nga Garda Revolucionare e Iranit dhe konsiderohet një shtyllë kryesore e aleancës rajonale të grupeve të armatosura të mbështetura nga Teherani. Grupi hapi zjarr ndaj Izraelit më 2 mars në një shfaqje mbështetjeje për Iranin, duke nxitur një fushatë ajrore dhe tokësore izraelite në Liban.

Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga Ministria e Jashtme iraniane, Ministria e Jashtme izraelite apo ushtria izraelite ndaj kërkesave për koment. Megjithatë, një zyrtar i lartë i administratës Trump tha se ndërprerja e “aktiviteteve të ndërmjetësuara” të Iranit dhe çarmatosja e Hezbollahut ishin “kritike për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Liban dhe në rajonin e gjerë”.

Një nga burimet rajonale tha se Hezbollahu kishte marrë “garanci iraniane” se do të përfshihej në çdo marrëveshje më të gjerë.

“Irani i jep përparësi Libanit dhe nuk do të pranojë shkeljet izraelite si ato që ndodhën pas armëpushimit të vitit 2024”, tha burimi, duke iu referuar sulmeve të vazhdueshme izraelite pavarësisht një marrëveshjeje të mëparshme që i dha fund luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut.