BOTA, 20 Nëntor 2022, 22:05

Sulmi mbi Centralin bërthamor në Zaporizhzhia, OKB: Ndaloni çmendurinë! Shënjestrimi i objektit, i qëllimshëm

Sulmi mbi Centralin bërthamor në Zaporizhzhia, OKB: Ndaloni

Shefi i mbikëqyrjes atomike të OKB-së, Rafael Grossi, ka denoncuar sulmet e “shënjestruara” në centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia të kontrolluar nga Rusia, duke bërë thirrje për “ndalimin e kësaj çmendurie”.

“Rreth një duzinë sulmesh kishin shënjestruar centralin dhe situata ishte shumë serioze”, tha kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për transmetuesin francez BFM TV.

“Është e rëndë që disa njerëz e konsiderojnë një termocentral bërthamor si një objektiv legjitim ushtarak”, tha ai.

Megjithatë ai ka refuzuar të fajësojë njërën nga palët për sulmet.

“Kushdo qoftë, ndaloni këtë çmenduri! Njerëzit që po e bëjnë këtë e dinë se ku po godasin. Është absolutisht e qëllimshme, e synuar”, tha ai. 

Më herët të dielën, Kievi dhe Moska fajësuan njëri-tjetrin për bombardimin e vendit të termocentralit bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore.

IAEA do të dërgojë një ekip ekspertësh në central, objekti më i madh bërthamor në Evropë, pas shpërthimeve të fuqishmegjatë të shtunës dhe të dielës.

“Centrali është në vijën e frontit, ka aktivitete ushtarake që janë shumë të vështira për t’u identifikuar, ka trupa ruse dhe trupa ukrainase në veprim. Ka pasur dëmtime në disa vende mjaft delikate,” tha Grossi.