BOTA, 23 Nëntor 2022, 21:39

Hetimi penal ndaj Donald Trump, Departamenti i Drejtësisë kërkon dëshminë e ish-zëvendëspresidenti Mike Pence

Hetimi penal ndaj Donald Trump, Departamenti i Drejtësisë

Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë kanë kontaktuar me përfaqësuesit e ish-zëvendëspresidentit Mike Pence për të kërkuar dëshminë e tij në hetimin penal që është nisur ndaj ish-Presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij për tentativën e tjetërsimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Ekipi i Pence ka zbuluar se ish-zëvendëspresidenti është i hapur për të diskutuar një marrëveshje të mundshme me Departamentin e Drejtësisë për të dhënë dëshmitë e tij.

Kërkesa është dërguar përpara se Departamenti i Drejtësisë të emëronte një këshilltar special për të mbikëqyrur hetimet e ngritura ndaj Donald Trump, duke përfshirë hetimin për trazirat e 6 janarit 2021, si dhe për keqpërdorimin e materialeve të klasifikuara të gjetura në vilën e tij në Florida.

Është e paqartë se si emërimi i këshilltarit special Jack Smith do të ndikojë në diskutimet midis Departamentit të Drejtësisë dhe ekipit të Pence.

Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë për CNN, ashtu si edhe përfaqësuesit e Pence.

Pence kohët e fundit botoi një kujtim që përshkruante disa nga ndërveprimet e tij me Trump, teksa ish-presidenti i kërkonte të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Kujtojmë se Pence ka refuzuar një kërkesë për të dëshmuar në komitetin e përzgjedhur nga Dhoma e Përfaqësuesve për të hetuar 6 janarin, por ai ka lejuar ndihmësit kryesorë të japin dëshmi në hetimin penal të Departamentit të Drejtësisë.