TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Hamasi do të japë sot përgjigjen e saj ndaj propozimit për një armëpushim të ndërsjellë me Izraelin në Rripin e Gazës, si pjesë e një marrëveshjeje që parashikon gjithashtu lirimin e dhjetëra pengjeve izraelitë.
Në Kajro pritet një takim trepalësh mes Egjiptit, Katarit dhe Hamasit. Kreu i organizatës palestineze islamike në bisedime pritet të jetë Khalil al-Haya , një anëtar i krahut politik të lëvizjes, sipas një burimi të AFP.
“Atmosfera është pozitive, nëse përjashtoni pengesat e reja të vendosura nga Izraeli,” tha ai. “Asnjë problem i madh nuk u ngrit në komentet dhe kërkesat që do të bëheshin nga Hamasi për përmbajtjen e propozimit”, shtoi burimi.
Ky është një propozim i hartuar nga Kajro dhe i modifikuar nga qeveria izraelite. Është një alternativë ndaj asaj të Hamasit, i cili në mes të prillit bëri thirrje për një armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës, të cilin qeveria izraelite refuzon ta diskutojë.
Detajet e propozimit nuk janë bërë publike. Megjithatë, sipas një raporti nga uebsajti amerikan i lajmeve Axios, i cili citoi zyrtarë izraelitë, ai përfshin një gatishmëri për të diskutuar rivendosjen e “qetësisë së përhershme” në Rripin e Gazës.
Takimi i Kajros do të vijë gati shtatë muaj pas shpërthimit të luftës, e cila u shkaktua nga një sulm i përgjakshëm nga krahu ushtarak i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.
Egjipti, Katari dhe SHBA po përpiqen, deri tani më kot, të bindin palët ndërluftuese që të ndalojnë armiqësitë.
Në fund të nëntorit, një armëpushim njëjavor lejoi lirimin e 80 pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe, në këmbim, 240 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.
Në të dyja anët, ishin kryesisht gra dhe fëmijë.