BOTA, 6 Maj 2024, 15:42

Gruaja bie nga kavo e ‘zipline’ mbi parkun piktoresk në veri të Italisë, humb jetën

Gruaja bie nga kavo e ‘zipline’ mbi parkun piktoresk në veri

Një grua ka rënë për vdekje nga 20 metra lartësi para familjarëve të saj pas këputjes së rripave që e mbanin në kavon ‘zipline’ nga ku po rrëshqiste në parkun Bitto në veri të Italisë. 41-vjeçarja Ghizlane Moutahir ka humbur jetën në aksidentin e të dielës pranë liqenit Como, në Itali.

Gruaja raportohet se ishte në fund të zbritjes së saj të shpejtë rreth 1.5 km te gjate, kur dëshmitarët thanë se nisi të shfaqte probleme dhe me pas ra nga rripat që e mbanin. Grupe mjekësh nxituan në vendngjarje por nuk mund ta shpëtonin, ndërsa prokuroria tha se ka hapur hetime. Dy mbesat e Moutahir, të cilat sapo kishin kompletuar zbritjen e tyre në të njëjtën linjë, po filmonin tezen që rrëshkiste me rreth 100 km në orë. Qindra njerëz ishin dje në parkun Fly Emotion, i hapur në vitin 2011 që është një nga atraksionet kryesore turistike të zonës.

Rrëshkitja varur në kavon ‘zipline’ është një nga atraksionet më të frekuentuara në luginën që përfshin Albaredo, San Marco e Bema. Moutahir po udhëtonte në seksionin mes Albaredo e Bema, dhe thuajse kishte ardhur në pikën e mbërritjes ku pësoi rënien fatale, thanë mediat. Hetimet zbuluan se Moutahir kishte ndaluar pak para mbërritjes në fundin e ‘zipline’, kur nisi të lëvizte dhe këmbët i kishin dalë jashtë, tha një zëdhënës i policisë. “Kjo bëri që ajo të humbiste ekuilibrin dhe të binte nga pajisja që e mbante, duke humbur jetën në vend”, shtonin zyrtarët.

“Gjithashtu është e mundur që ajo të ketë pasur një episod paniku apo ndonjë gjendje të papritur mjekësore, dhe ne po presim rezultatet e autopsisë”, tha policia. Moutahir ishte me origjinë marokene dhe jetonte në qytezën fqinje Sant’Angelo Lodigiano. Ajo kishte ardhur me familjarët në park ndërsa bashkëshorti i saj Michele kishte ardhur me urgjencë kur mësoi për aksidentin. “Duhet të kisha qenë këtu me të. Besoja se vetëm ishte lënduar, por ajo nuk është më me ne”, tha ai për rrjetin vendas La Repubblica. Atraksioni ka vetëm vlerësime pozitive në rrjetin e udhëtimeve Trip Advisor.