TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një fshat holandez është bërë qendër gjuetie thesari ndërsa njerëzit kërkojnë për plaçkat e groposura të periudhës naziste. Kërkimet u nxitën pasi autoritetet publikuan një hartë që supozohet se tregon vendndodhjen e bizhuterive të vjedhura gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kjo hartë e vizatuar me dorë ka nxitur një gjueti thesari të kohëve moderne në një fshat të vogël holandez.
Shumë njerë kanë zbritur në Ommeren -një fshat me popullsi 715 banorë - rreth 80 kilometra në juglindje të Amsterdamit për të gërmuar vendndodhjen e bizhuterive të vjedhura gjatë Luftës së Dytë Botërore që kur harta u publikua për herë të parë më 3 janar.
Gropat në tokë tregojnë vendet ku njerëzit janë përpjekur - dhe kanë dështuar - të gjejnë thesarin.
"Është sigurisht një lajm spektakolar që ka magjepsur të gjithë fshatin. Dhe jo vetëm fshatin tonë, por edhe njerëz që nuk banojnë këtu. Të gjithë gërmojnë spontanisht në vende ku ata mendojnë se është groposur thesari – duke përdorur një detektor metali", thotë Marco Roodveldt.
Deri më tani, askush nuk ka raportuar të ketë gjetur ndonjë thesar.
Kërkimet filluan këtë vit kur Arkivi Kombëtar Holandez publikoi – siç bën çdo janar – mijëra dokumente që historianët t’i hulumtojnë.
Shumica e tyre kaluan kryesisht pa u vënë re. Por harta, e cila përfshin një skicë të një kryqëzimi të një rruge fshati dhe një tjetër me një X të kuq në bazën e një prej tre plepave, ishte një hit i papritur viral që shkatërroi qetësinë e dimrit në Ommeren.
“Ne gjetëm një dosje publike, të Institutit të Menaxhimit të Pronave në Holandë, që ka bërë disa përpjekje për të rikuperuar bizhuteritë e grabitura pas Luftës Botërore. Dhe në vetë procesverbalin është një hartë e skicuar nga një ushtar gjerman, i cili ishte dëshmitar i groposjes së atij thesari”, thotë studiuesja e Arkivit Kombëtar, Annet Waalkens me Arkivën Kombëtare.
Gjuetarët e fundit të thesarit nuk janë të parët që largohen nga fshati duarbosh.
Në verën e vitit 1944, qyteti holandez Arnhem u pushtua nga nazistët.
Kjo vijë e parë e Luftës së Dytë Botërore u bombardua - dhe një grup ushtarësh gjermanë panë një mundësi.
“Pra, ky ushtar gjerman thotë në deklaratat e tij të dëshmisë se kompania e tij ishte në Arnhem në gusht të vitit ‘44 kur pati një bombardim që goditi një ndërtesë bankare, e cila goditi gjithashtu edhe kasafortën e bankës, dhe të gjitha pasuritë që ishin në të u shpërndanë në rrugë. Ata grumbulluan çfarë mund të merrnin dhe i futën në kuti municionesh, duke paketuar gjithçka që gjetën dhe duke i mbajtur të fshehura për disa muaj. Por më pas, rreth prillit të vitit '45, kur aleatët po afroheshin, ata vendosën ta groposnin thesarin aty ku ishin”, shpjegon zonja Annet Waalkens.
Ushtari u intervistua pas luftës nga autoritetet ushtarake holandeze në Berlin.
Arkivi Kombëtar holandez nuk e di nëse ushtari është ende gjallë dhe nuk e ka publikuar emrin e tij, duke përmendur rregullat e Bashkimit Evropian për privatësinë.
Autoritetet holandeze duke përdorur hartën dhe dëshminë e ushtarit shkuan në kërkim të thesarit në vitin 1947.
Herën e parë, toka ishte e ngrirë e fortë dhe ata nuk bënë asnjë përparim.
Kur u kthyen pas shkrirjes, nuk gjetën asgjë, thotë zonja Waalkens.
Pra, ndoshta dikush tjetër e ka marrë tashmë thesarin.
Por ky detaj është anashkaluar gjerësisht nga gjuetarët e thesarit që vërshuan në Ommeren në ditët pas publikimit të hartës. /VOA