BOTA, 8 Prill 2024, 17:40

Gjermania paditet për gjenocid për shitjet e armatimeve ushtrisë së Izraelit

Gjermania paditet për gjenocid për shitjet e armatimeve ushtrisë

Nikaragua i ka kërkuar sot Gjykatës së Kombeve të Bashkuara të ndalojë eksportet e armatimeve gjermane drejt Izraelit që po nxisin konfliktin e rëndë në Gaza, në një çështje të rrallë që mund të vendosë precedentë të rëndësishëm. Në ankesë, Gjermania akuzohet për shkelje të Konventës së Gjenocidit të OKB me dërgimet e armatimeve të rënda për Izraelin dhe ndalimin e fondeve për agjencinë e ndihmave të OKB.

Berlini ka refuzuar akuzat dhe pretendon se do të prezantojë argumentimin e tij të mbrojtjes të martën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas statistikave të vitit 2023, rreth 30% e blerjeve të armatimeve nga Izraeli kanë ardhur nga Gjermania, në një total prej 300 milionë euro. Akuzat e fundit vijnë pas një veprimi të ngjashëm nga Afrika e Jugut që paditi Izraelin për gjenocid në janar, veprim që u mbyll me urdhrin e gjykatës që Izraeli “të marrë të gjitha masat për të shmangur aktet e gjenocidit”, shkruan rrjeti BBC.

Gjykata urdhëroi gjithashtu grupin Hamas të lirojë pengjet izraelite të mbajtura që prej sulmit të 7 tetorit, por kjo nuk ka bërë ndryshim te sjellja e asnjërës palë. Izraeli refuzon se ka kryer akte gjenocidi në fushatën ushtarake në Gaza, dhe insiston se “ka të drejtë të mbrojë vetën”. Ndërkohë më shumë se 33,000 palestinezë janë vrarë gjatë ofensivës së Izraelit në Gaza, sipas shifrave të ministrisë palestineze të shëndetësisë, ndërsa qytet e Gazës janë thuajse rrafshuar nga bombardimet dhe të mbijetuarit janë tashmë në krizë urie.

Padia e Nikaraguas thotë se shitjet e armatimeve të Gjermanisë te Izraeli arrinin vitin e kaluar në mbi 300 milionë euro, në një rritje dhjetëfishore prej vitit 2022, çka e bën vendin bashkëpunëtor në krime të mundshme lufte që janë kryer nga Izraelit. Shumica e shitjeve gjermane për ushtrinë izraelite kanë komponentë të sistemeve të mbrojtjes ajrore e pajisje komunikimesh, shkruante agjencia gjermane DPA. Gjermania është gjithashtu një ndër 15 vendet perëndimore që ka pezulluar fondet për agjencinë e ndihmës së OKB për Palestinën, me akuza se disa anëtarë të stafit të saj “ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit në Izrael”.

Sipas dokumenteve të padisë Nikaragua kërkon që gjykata të urdhërojë Berlinin të ndalojë shitjet e armatimeve dhe të rinisë kontributet për agjencinë e ndihmës ndaj popullatës në Palestinë. Zyrtarët shtonin se në mungesë të masave të tilla “Gjermania po ndihmon kryerjen e gjenocidit ddhe po shkel detyrimin e saj për të punuar në parandalimin e gjenocidit”. Avokati përfaqësues i Nikaraguas, Alain Pellet tha në seancë se ishte urgjente që Gjermania të ndalonte shijet e armatimeve.

Por Berlini refuzonte akuzat, pa folur për strategjinë e tij ligjore ndaj çështjes. “Ne vërejtëm padinë e Nikaraguas dhe i mohojmë akuzat si të pajustifikuara”, tha zëdhënësi qeveritar Wolfgang Buechner. Dje një grup punonjësish civilë gjermanë gjithashtu i shkruan publikisht kancelarit Olaf Scholz të ndalojë dërgesat e armatimeve për Izraelin. Mes të tjerave në letër thuhej: “Izraeli po kryen krime në Gaza që kundërshtojnë hapur ligjin ndërkombëtar dhe kushtetutën, dhe si punonjës civilë e publikë jemi të varur nga kjo e fundit”. Aleatët e Sholz në Gjermani kanë përmendur se dhe Nikaragua ka të dhëna të këqija për të drejtat e njeriut pas fushatave të shtypjes ndaj opozitës.