BOTA, 2 Qershor 2026, 20:05

Gjermani/ “Rheinmetall”, marrëveshje 5,7 miliardë euro me Rumaninë për furnizime ushtarake

Gjermani/ “Rheinmetall”, marrëveshje 5,7 miliardë euro me

Gjiganti gjerman i mbrojtjes “Rheinmetall” njoftoi sot se ka nënshkruar një kontratë me vlerë 5,7 miliardë euro me forcat e armatosura rumune, kontrata më e madhe ndërkombëtare e kompanisë në vitet e fundit.

Sipas kompanisë, marrëveshja parashikon furnizimin e Rumanisë me sisteme të mbrojtjes ajrore, pothuajse 300 mjete luftarake, anije ushtarake dhe municione. Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi një dron goditi një pallat banimi në Romani, vend anëtar i NATO-s që kufizohet me Ukrainën, duke shkaktuar reagime të ashpra nga aleatët e NATO-s.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se nuk ka prova që fajësojnë Rusinë për incidentin.

Drejtori ekzekutiv i “Rheinmetall”, Armin Papperger, e cilësoi marrëveshjen si një “sukses të rëndësishëm”, duke theksuar se kompania synon të ndërtojë, së bashku me partnerët rumunë, një ekosistem të gjerë të industrisë së mbrojtjes në vend. Dërgesat e sistemeve të reja do të nisin në vitin 2028 dhe pritet të përfundojnë deri në vitin 2030.

Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit do të realizohet në Rumani, ndërsa kompania pret krijimin e mijëra vendeve të reja të punës. Marrëveshja financohet në kuadër të nismës së Bashkimit Evropian SAFE (Security Action for Europe), e cila u ofron vendeve anëtare kredi me interesa më të ulëta për forcimin e kapaciteteve ushtarake.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, vendet evropiane kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, ndërsa “Rheinmetall” ka qenë ndër përfituesit kryesorë të këtij procesi riarmatimi.