BOTA, 10 Prill 2024, 20:26

Gjenerali amerikan, Kongresit: Ukraina nuk mund ta përballojë vetë luftën

Gjenerali amerikan, Kongresit: Ukraina nuk mund ta përballojë

Gjenerali i lartë amerikan, Christopher Cavoli, ka paralajmëruar se Ukraina nuk do të mund ta përballojë e vetme luftën kundër Rusisë, teksa një paketë masive e ndihmës vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Ndihma është bllokuar prej disa republikanëve konservatorë, të cilët besojnë se çështjet e brendshme në SHBA duhet të kenë prioritet.

Gjenerali Cavoli, komandant i Komandës amerikane në Evropë, i ka thënë Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbime të Armatosura, më 10 prill, se përkeqësimi i situatës në Ukrainë “nuk duhet nënvlerësuar” pasi trupat ushtarake në fushëbetejë kanë mbetur pa municion, si dhe kapacitetet për mbrojtje ajrore janë çdo herë e më të zbehta.

“Ukraina nuk mund t’ia dalë vetë. Shtetet e Bashkuara, aleatët tanë dhe partnerët duhet të vazhdojnë të dërgojnë në Ukrainë municione dhe armë”, ka thënë Cavoli. Trupat ukrainase janë duke racionalizuar përdorimin e municionit teksa forcat ruse e kanë rritur shkallën e ofensivës, ka thënë ai para Komitetit amerikan. Ai ka thënë se Rusia do të ketë prioritet 10-1 kundër Ukrainës, brenda javësh.

“Nuk po flasim për muaj. Nuk po flasim në mënyrë hipotetike. Po flasim për javë”, ka thënë Cavoli.

Më herët gjatë kësaj jave, presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky, ka paralajmëruar se pozicioni ushtarak i Ukrainës është duke u dobësuar për shkak të mungesës së municionit dhe armëve, sidomos ato për mbrojtje ajrore, për shkak të bllokimit të ndihmës amerikane.

Cavoli ka theksuar se kontributi amerikan është jetik, sidomos municionet dhe raketat, të cilat, sipas tij, janë elemente kritike në luftë.

“Vrasësja më e madhe në fushëbetejë është artileria… nëse Ukraina mbetet pa të, do të mbetet sepse ne i kemi ndalur ndihmat”, ka thënë Cavoli.

Ai ka përmendur, gjithashtu, se Rusia varet nga “sasia e një vendi të madh” që ia mundëson prodhimin ushtarak, përfshirë fabrikat e reja që ka për prodhim të artilerisë dhe tankeve. Sipas tij, përgjatë luftës në Ukrainë, taktika e Rusisë ka qenë që të nisë sulme shumë të mëdha në distanca ditore, për të mbajtur ritmin e prodhimit. “Ata prodhojnë, ruajnë dhe më pas nisin sulme të mëdha”, ka thënë ai.

“Ato sulme do ta shkatërrojnë ekonominë dhe shoqërinë civile, si dhe ushtrinë e Ukrainës, nëse nuk ka sulme mbrapsht. Pa armët e SHBA-së diçka e tillë do të ndodhë”.

Dhoma e Përfaqësuesve nuk e ka caktuar ndonjë datë për votim të pakos së ndihmës në vlerë të 60 miliardë dollarëve për Ukrainën.

Projektligji është miratuar në Senat në shkurt, dhe Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar disa herë udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve, republikanit Mike Johnson që të organizojë votimin. Projektligji e ka mbështetjen e disa republikanëve në Kongres, mirëpo ata që janë të linjës së ashpër, të afërt me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, i cili synon mandat të dytë në pushtet, e kanë bllokuar ndihmën.

Sipas tyre, përveç fokusit të SHBA-së në çështjet e brendshme, edhe qeveritë evropiane duhet të rrisin ndihmën për Ukrainën. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Rel/