BOTA, 6 Dhjetor 2023, 15:12

“Gjendjen mendore e ke…”, Biden përplaset me Trump: Garoj për të të ndalur

“Gjendjen mendore e ke…”, Biden përplaset me Trump:

Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se pjesë e motivimit të tij për të kandiduar për një mandat të dytë vitin e ardhshëm është parandalimi i rikthimit në pushtet të Donald Trump. “Nuk mund të lejojmë që ai të fitojë”, ka thënë Biden për gazetarët.

Nga ana tjetër, në një intervistë për “Fox News”, Trump nuk e përjashtoi abuzimin me pushtetin nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Gjithashtu, ai tha se rivali i tij është shumë i plakur për një revansh politik. Asnjë nga kandidatët nuk është ende i emëruar zyrtar nga partitë respektive. Trump udhëheq garën e republikanëve edhe pse përballet me një seri çështjesh penale. Ndërsa Biden, si president në detyrë, është kandidati i supozuar i demokratëve.

Sondazhet e fundit tregojnë një garë hipotetikisht të ngushtë mes dy rivalëve, teksa fushata zgjedhore për 2024-n po bëhet më e nxehtë. Duke folur për gazetarët jashtë kamerave, në një fushatë për mbledhje fondesh, Biden tha: “Nëse Trump nuk do të garonte, nuk jam i sigurt nëse do të garoja unë. Por nuk duhet ta lejojmë të fitojë”, u shpreh Biden. Ndërkohë, Trump, kur u pyet nga gazetari i “Fox News” nëse ishte i gatshëm t’u premtonte amerikanëve se nuk do ta përdorte kurrë pushtetin për t’u hakmarrë, u përgjigj:

“Me përjashtim të ditës së parë, kur do të mbyll kufijtë dhe do të anuloj politikat për klimën, duke rifilluar kërkimet për naftë”, tha Trump. Ish-presidenti akuzoi demokratët se po abuzojnë me pushtetin, ndërsa sa i takon Biden theksoi se, nuk ka shanse që ai ta përballojë fizikisht fushatën elektorale. Ai shtoi se gjendja mendore e rivalit të tij është “po aq keq, ose më keq” se gjendja e tij fizike.