BOTA, 27 Janar 2026, 17:42

Gati 20 vjet negociata, BE dhe India arrijnë marrëveshjen historike tregtare për 2 mld konsumatorë

Gati 20 vjet negociata, BE dhe India arrijnë marrëveshjen historike

Bashkimi Evropian dhe India kanë arritur një marrëveshje historike tregtare pas negociatave që zgjatën gati 20 vjet, duke krijuar një zonë të tregtisë së lirë që përfshin rreth dy miliardë konsumatorë dhe përfaqëson 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global.

Marrëveshja përjashton një sërë produktesh bujqësore dhe konsiderohet kulmi i politikës së hapjes së BE-së, veçanërisht në një moment kur marrëveshja tregtare me Mercosur-in është vënë në pikëpyetje.

“Është nëna e të gjitha marrëveshjeve”, deklaruan në Nju Delhi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi. BE-ja e 27 vendeve dhe shteti më i populluar në botë – i cili që nga viti 2023 ka kaluar Kinën sipas të dhënave të OKB-së – ranë dakord të krijojnë një treg të lirë me peshë të madhe globale.

Nëse marrëveshja Mercosur me Amerikën Latine shënon një përpjekje të BE-së për të gjetur kanale alternative përtej bashkëpunimit tradicional tregtar me SHBA-në, atëherë marrëveshja me Indinë shihet si kulm i kësaj strategjie të re. Kjo vjen në një kohë kur procesi Mercosur po shtyhet sërish, pas vendimit të fundit të Parlamentit Evropian për t’iu drejtuar Gjykatës Evropiane.

Marrëveshja pritet gjithashtu të zbehë skenarët për një afrimin të Indisë me një front anti-perëndimor të udhëhequr nga Kina ose Rusia.

Pritshmëri të mëdha për eksportet

Aktualisht rreth 6.000 kompani evropiane operojnë në Indi, por potenciali për zgjerim mbetet i madh. Për shembull, industria evropiane e automobilave mban vetëm 4% të tregut indian të automjeteve.

Komisioni Evropian vlerëson se me marrëveshjen e re, vëllimi i përgjithshëm i eksporteve evropiane mund të dyfishohet deri në vitin 2032. Tarifat për makinat evropiane do të ulen nga 110% në 10%, për verën nga 150% në 20%, ndërsa produkte si vaji i ullirit dhe makaronat do të hyjnë në tregun indian pa tarifa. Në të njëjtën kohë, produktet indiane do të përfitojnë akses të favorshëm në tregun evropian, me përfitime të veçanta për sektorët e tekstilit, farmaceutikës dhe çelikut.

Suksesi i negociatave me Indinë i jep BE-së një shtysë shtesë për të përshpejtuar marrëveshje të ngjashme me ekonomi të tjera të rëndësishme ose në zhvillim. Së fundmi, komisioneri evropian Apostolos Tzitzikostas deklaroi në Parlamentin Evropian se negociatat po vazhdojnë me vende si Malajzia, Filipinet, Tajlanda, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndryshe nga marrëveshja Mercosur, pakti tregtar me Indinë nuk ka shkaktuar – të paktën deri tani – reagime të forta apo protesta bujqësore. Kjo lidhet me faktin se shumë produkte bujqësore të ndjeshme për BE-në, si mishi i viçit dhe derrit, sheqeri dhe orizi, mbeten jashtë marrëveshjes dhe do të vazhdojnë të mbrohen me tarifa.

Komisioni Evropian thekson se këto përjashtime “mbrojnë plotësisht sektorët e ndjeshëm të prodhimit bujqësor evropian”. Ndërkohë, zyrtarë evropianë e cilësojnë marrëveshjen si një kapitull të ri në politikën tregtare të BE-së, që forcon ekonominë dhe krijon vende të reja pune, në një kontekst global gjithnjë e më të pasigurt.