BOTA, 11 Prill 2026, 11:32

Franca ndalon kaldajat me gaz në ndërtimet e reja nga 2027, Lecornu: Çështje sovraniteti energjetik

Franca ndalon kaldajat me gaz në ndërtimet e reja nga 2027, Lecornu:

Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, ka njoftuar planet për heqjen graduale të kaldajave me gaz në ndërtimet e reja nga viti 2027, si pjesë e një strategjie më të gjerë për uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe forcimin e sovranitetit energjetik.

Në një fjalim drejtuar kombit, ai deklaroi se deri në fund të vitit 2026 nuk do të lejohet më instalimi i kaldajave me gaz në ndërtesat e reja.

Sipas tij, kjo masë vjen në një kohë shqetësimesh të shtuara për sigurinë energjetike, të ndikuara edhe nga tensionet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë reflektuar në kostot e jetesës në Francë.

“Sa kohë që varemi nga nafta dhe gazi, do të vazhdojmë të paguajmë çmimin e luftërave të të tjerëve”, u shpreh Lecornu, duke theksuar se politika energjetike duhet trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare.

Qeveria franceze pritet të rrisë mbështetjen për alternativat e ngrohjes, veçanërisht pompat e nxehtësisë, duke synuar instalimin e deri në 1 milion njësi në vit deri në 2030. Subvencionet publike do të riorientohen për të përshpejtuar elektrifikimin dhe për të ulur varësinë nga gazi dhe nafta.

Tranzicioni do të përfshijë edhe banesat sociale, ku synohet zëvendësimi i rreth 2 milionë njësive me ngrohje me gaz deri në vitin 2050, duke i dhënë përparësi familjeve në nevojë.

Në plan më të gjerë, Franca synon të zëvendësojë 85 teravat-orë konsum gazi me energji të prodhuar brenda vendit deri në vitin 2030, si pjesë e rritjes së pavarësisë energjetike.

Lecornu e cilësoi këtë si një transformim strategjik, duke theksuar se “elektrifikimi i Francës është një domosdoshmëri individuale dhe kolektive”.

Qeveria gjithashtu synon të përshpejtojë kalimin drejt makinave elektrike, me objektivin që dy nga tre makina të reja të shitura deri në vitin 2030 të jenë elektrike.