TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Disa fotografi së fundi tregojnë se si e kaluara sovjetike ruse është duke u përdorur nga ushtria ruse, e angazhuar në Ukrainë, teksa objektivat e Kremlinit bëhen secilën herë e më të paqarta.
Disa javë pas nisjes së luftës, në disa pamje amatore janë parë flamuj sovjetikë mbi tanket ruse. Mirëpo pamjet e fundit, të konfirmuara me simbole sovjetike, të publikuara prej mediave të financuara prej Kremlinit, japin shenjë për përqafim të këtyre simboleve nga pjesëtarë të ushtrisë ruse.
Ian Garner, historian/ dhe ekspert i propagandës së luftës ruse, ka thënë se përdorimi i imazheve sovjetike është iniciativë e ushtarëve individualë dhe njësiteve, mirëpo është duke u inkurajuar si veprim edhe në kuadër të propagandës së financuar nga Kremlini, sikurse në “koncerte, emisione televizive, e tjera”. Garner beson se simbolet sovjetike janë duke u përdorur, pjesërisht për faktin se qëllimet e luftës janë krejtësisht të paqarta.
“Ndonëse ushtarët individualë mund të mos identifikohen me qëllimet e pretenduara të shtetit për luftën, apo edhe mund të mos i përshkruajmë qëllimet gjeopolitike që i ka regjimi i [presidentit rus, Vladimir Putinit]”, ka thënë Garner.
“Ata lidhen me këto simbole, me simbole të së kaluarës, përmes së cilave synojnë krijimin e një të ardhmeje utopike, që Rusia do të bëhet sërish superfuqi".
Garner beson se me imazhet sovjetike nuk synohet të rikthehet sistemi politik marksist, i cili ka shkatërruar numër të madh jetësh në shekullin 20.
“Do të thosha se shumë pak njerëz në Rusi dëshirojnë kthim të Bashkimit Sovjetik”, ka thënë ai.
Sondazhet e fundit kanë treguar që më shumë rusë identifikohen me Bashkimin Sovjetik – i shkatërruar që një kohë – sesa me Rusinë e pavarur.
Mirëpo Garner tërheq vërejtjen se pamjet e rikthyera të epokës cariste dhe simbolet komuniste - të dyja të para në fushëbetejë në Ukrainë - tregojnë se imazhet e periudhës sovjetike, nuk janë asgjë më shumë sesa simbol i epokës së kaluar.
“Asnjëra prej këtyre nuk ka kuptim, përveçse kur e kupton se është dëshirë jokoherente për t’u kthyer mbrapa në kohë”, ka thënë historiani.
“Mirëpo, natyrisht, ne po flasim për një kohë më të mirë, e cila në fakt nuk ka ekzistuar asnjëherë”./REL