TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas një procesi të gjatë dhe të vështirë negociatash mes Izraelit dhe Libanit, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, palët kanë arritur një marrëveshje të parë, duke pranuar se rruga drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve do të jetë e ndërlikuar.
Megjithatë, si Izraeli, ashtu edhe Libani dhe SHBA-ja kanë treguar kujdes për të mos bërë publik përmbajtjen e plotë të marrëveshjes së nënshkruar sot në Uashington.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili mori pjesë në fazën përfundimtare të negociatave dhe në ceremoninë e nënshkrimit, deklaroi se dokumenti krijon “një kuadër për paqe dhe siguri të qëndrueshme”.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti se ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë në jug të Libanit derisa Hezbollah të dorëzojë armët.
“Mbi të gjitha, më e rëndësishmja është se Izraeli mbetet në zonën e sigurisë në jug të Libanit. Ky është një arritje e rëndësishme dhe do ta ruajmë derisa Hezbollah të çarmatoset”, deklaroi Netanyahu në një mesazh të regjistruar.
Ai shtoi se Izraeli do t’i lejojë gjithashtu ushtrisë libaneze të nisë përgatitjet për marrjen nën kontroll të disa territoreve.
“Po krijojmë dy zona pilot, të dyja me rekomandimin e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Njëra ndodhet në jug të lumit Litani dhe jashtë zonës fillestare të sigurisë, ndërsa tjetra në veri të Litani-t, në një zonë të vogël brenda perimetrit të zgjeruar të sigurisë që ushtria izraelite pushtoi gjatë dy javëve të fundit dhe që, sipas saj, nuk është më e nevojshme”, u shpreh ai.
Lumi Litani ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit mes Izraelit dhe Libanit. Netanyahu theksoi se zona fillestare e sigurisë do të vazhdojë të mbahet nën kontroll për të parandaluar kërcënimet nga raketat antitank të Hezbollahut.
“Nuk do të lejojmë as Hezbollahun dhe as civilët libanezë të hyjnë në këtë zonë. Për Izraelin, siguria jonë mbetet prioritet absolut”, deklaroi ai.
Kryeministri izraelit e cilësoi marrëveshjen edhe si “një goditje të rëndësishme për Iranin”, duke akuzuar Teheranin se përpiqet ta detyrojë Izraelin të tërhiqet nga jugu i Libanit.
“Në thelb, Izraeli, Libani dhe Shtetet e Bashkuara po i thonë Iranit se nuk ka asnjë rol në Liban. As Irani, as Hezbollah dhe asnjë organizatë tjetër terroriste nuk do të kenë ndikim atje”, u shpreh Netanyahu.
Gjatë bisedimeve në Uashington u diskutua edhe mundësia që Izraeli t’i dorëzojë ushtrisë libaneze disa nga territoret që kontrollon aktualisht në jug të Libanit.
Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit deklaroi për Reuters se Izraeli kishte pranuar të tërhiqej nga disa zona, por kjo u mohua më pas nga zyrtarë izraelitë dhe libanezë.
Sipas një zyrtari izraelit, i cituar nga The Times of Israel, tërheqja e forcave ushtarake do të jetë e kufizuar dhe do të përfshijë vetëm dy zona që ndodhen përtej kufijve fillestarë të zonës së sigurisë, të përcaktuar në muajin prill.
Që prej asaj kohe, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë zgjeruar praninë e tyre më në veri, duke zmadhuar zonën e sigurisë.
Në kuadër të marrëveshjes së arritur me Libanin, Izraeli ka pranuar të tërhiqet nga dy prej këtyre zonave të zgjeruara, ndërsa në marrëveshje nuk përfshihet Kalaja Beaufort, e cila u mor nën kontroll nga ushtria izraelite në muajin maj.