BOTA, 10 Gusht 2024, 11:52

Dhjetëra të vrarë në një sulm ajror izraelit në Gaza

Dhjetëra të vrarë në një sulm ajror izraelit në

Autoritetet shëndetësore palestineze thanë se një sulm ajror izraelit goditi mëngjesin e së shtunës një shkollë të shndërruar strehë për të zhvendosurit në qytetin e Gazës, duke vrarë më shumë se 80 veta, në një nga sulmet më vdekjeprurëse në luftën 10-mujore midis Izraelit dhe Hamasit.

Ushtria izraelite e pranoi se ka kryer sulmin, duke pretenduar se goditi një qendër komanduese të Hamasit brenda shkollës. Hamasi e mohoi një pretendim të tillë.

Sulmi në shkollën Tabeen në qytetin qendror të Gazës la pas vetes 47 të plagosur, tha shërbimi i urgjencës në ministrinë e Shëndetësisë. Ndërtesa, sikurse pothuajse të gjitha shkollat e Gazës, është përdorur si një strehë për ata që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.

Fadel Naeem, drejtor i spitalit al-Ahli në qytetin e Gazës, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press, se në spital u dërguan 70 trupa të të vrarëve në sulm dhe pjesët e trupit të të paktën 10 të tjerëve.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 477 nga 564 shkollat në Gaza janë goditur ose dëmtuar deri më 6 korrik. Në qershor, një sulm izraelit në një shkollë që strehonte palestinezët e zhvendosur në Gazën qendrore la pas vetes të paktën 33 të vrarë, duke përfshirë 12 gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë.

Të enjten, ushtria izraelite goditi dy shkolla që strehonin persona të zhvendosur në lindje të qytetit të Gazës, duke vrarë të paktën 15 persona, sipas zyrtarëve të spitalit në qytet.

Izraeli fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve në Gaza, duke thënë se grupi rrezikon civilët duke shfrytëzuar shkollat dhe lagjet e banuara si baza për operacione dhe sulme.