BOTA, 26 Janar 2023, 12:14

Dërgimi i tankeve në Ukrainë, Rusia reagon e revoltuar: SHBA dhe Gjermania na shpallën 'luftë'

Dërgimi i tankeve në Ukrainë, Rusia reagon e revoltuar: SHBA dhe

Pas miratimit të Gjermanisë e SHBA për dërgimin e tankeve luftarake  në Ukrainë, ka reaguar Moska zyrtare. Sipas zëdhënësit të Kremlinit, furnizimi me armë i Ukrainës shihet si pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në konflikt.

Vendimi i vendeve perëndimore për të dërguar tanke të rënda ushtarake në Ukrainë, vlerësohet nga Kremlini zyrtar si "pjesëmarrje e drejtpërdrejtë" në konfliktin me Ukrainën.

"Në Moskë ne e shohim këtë si një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në konflikt, është shprehur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, një ditë pas njoftimit të Berlinit dhe Uashingtonit zyrtar, se do të dërgohen tanke luftarake në Ukrainë.

"Kryeqytetet në Europë dhe Uashington japin rregullisht deklarata, se furnizimi me llojet e ndryshme të armëve, përfshirë edhe tanket, në asnjë mënyrë nuk është pjesëmarrje në luftime. Ne e shohim këtë tërësisht ndryshe", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimtri Peskov. "Në Moskë kjo kuptohet si pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në konflikt, dhe ne e shohim, se kjo po shtohet."

Qeveria ruse i vlerëson NATO-n dhe SHBA si palë lufte.

"SHBA dhe NATO janë pjesëmarrëse në konfliktin e Ukrainës", tha Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, një institucion me shumë fuqi në Rusi.

Sipas Patrushev ata përpiqen të zgjasin këtë konflikt, shkruan agjencia e lajmeve, Tass, një ditë pas miratimit që Gjermania, SHBA dhe vende të tjera europiane kanë bërë për dërgimin e tankeve luftarake. Sipas tij ajo që po ndodh sot në Rusi është pasojë e "një lufte hibride" të perëndimit kundër Rusisë.

Zelensky kërkon hapa të tjerë

Presidenti ukrainas, Voldymyr Zelensky falënderoi kancelarin Scholz për vendimin e Gjermanisë për dërgimin e tankeve Luftarake Leopard si edhe aleatët perëndimorë për mbështetjen e Ukrainës. Pak orë pas premtimit për tanke luftarake ai u lut për nevojën e vendit të tij edhe për raketa me rreze të gjatë veprimi dhe avionë luftarakë.

"Sa më shumë mbështetje të marrin heronjtë tanë në front, aq më shpejt do t'i jepet fund agresionit rus", tha ai në një mesazh me video. Zelensky theksoi, se ka folur edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ka theksuar se është e rëndësishme për Ukrainën "që të dërgohen edhe raketa me rreze të gjatë veprimi."

Ndërkohë në shumë rajone të Ukrainës ka pasur alarm ajror.

Autoritetet rajonale paralajmërojnë popullsinë për sulme të mundshme. koncerni energjetik, DTEK për shkak të rrezikut të sulmeve me raketa ka udhëzuar furnizimin për raste emergjence në Kiev, Odesa, Dnipropetrovsk. Popullsisë i është kërkuar të shkojë në vende të sigurta.