BOTA, 10 Prill 2026, 22:54

Delegacioni iranian mbërrin në Islamabad, në pritje të bisedimeve të paqes me SHBA

Delegacioni iranian mbërrin në Islamabad, në pritje të

Delegacioni iranian, i udhëhequr nga kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, ka mbërritur në Islamabad, ku janë planifikuar bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara, njoftoi televizioni shtetëror iranian.

Sipas raportimeve, në delegacion bën pjesë edhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi. Televizioni shtetëror ka përsëritur qëndrimin e Teheranit se bisedimet do të nisin vetëm nëse Uashingtoni pranon “parakushtet e Iranit”.

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif deklaroi se zyrtarë iranianë do të marrin pjesë në bisedimet e planifikuara për nesër në Islamabad me Shtetet e Bashkuara, megjithëse Irani ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen.

Ai u shpreh në një fjalim drejtuar kombit se, në përgjigje të ftesës së tij, përfaqësues nga të dy vendet do të mblidhen në Islamabad për negociata që synojnë vendosjen e paqes.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance ndodhet rrugës për në Pakistan.

Irani ka kërkuar më herët një armëpushim në Liban dhe zhbllokimin e aseteve të tij si parakushte për çdo dialog me Uashingtonin, duke hedhur dyshime mbi ecurinë e procesit të negociatave.