TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Industritë ushtarake amerikane do të kenë nevojë për të paktën tre vite, për të rimbushur rezervat e tre sistemeve kryesore të armëve, që u përdorën gjerësisht në luftën me Iranin, sipas një analize, raportoi AP.
Kjo rrit shqetësimet se forcat amerikane mund të kenë një kapacitet të kufizuar goditës, në një konflikt të ardhshëm me Kinën.
Sistemet e përfshira janë raketat “Tomahawk”, të përdorura për goditjen e objektivave në brendësi të territorit të armikut, si dhe interceptorët “Patriot” dhe THAAD, të cilët shërbejnë për mbrojtje ndaj raketave dhe dronëve që afrohen.
“SHBA-ja ka mjaftueshëm municione për çdo skenar të mundshëm në luftën me Iranin, por reduktimi i rezervave ka krijuar një “dritare dobësie”, për një konflikt të mundshëm në Paqësorin Perëndimor”, thuhet në raportin e ri të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (Center for Strategic and International Studies).
“Koha e nevojshme për rindërtimin e këtyre rezervave është bërë një shqetësim i madh”, sipas raportit.
Kina ka deklaruar objektivin, që ushtria e saj të jetë e aftë të marrë Tajvanin me forcë, nëse është e nevojshme deri në vitin 2027, një afat që ekspertët e konsiderojnë më shumë aspirativ se sa përfundimtar.
Megjithatë, presidenti kinez, Xi Jinping paralajmëroi këtë muaj se nëse SHBA-ja menaxhon keq marrëdhëniet me ishullin vetëqeverisës, dy vendet mund të përfundojnë në konflikt të hapur.
Analiza merr parasysh propozimin historik të buxhetit të mbrojtjes prej 1,5 trilion dollarësh për vitin 2027, nga administrata Trump, i cili synon të rrisë ndjeshëm prodhimin e municioneve.
Megjithatë, raporti thekson se problemi nuk është financimi, por koha.
“Duhet kohë për të zgjeruar kapacitetet e prodhimit dhe për të ndërtuar sisteme kaq komplekse”, thuhet në raport.
“Dritarja e dobësisë do të zgjasë për disa vite, derisa rezervat të rikthehen në nivelet e mëparshme, dhe edhe disa vite të tjera derisa të arrijnë nivelet e kërkuara nga planifikuesit e luftës”, sipas analizës.
Edhe pse rezervat e municioneve janë të klasifikuara, CSIS tha se, të dhëna të mjaftueshme publike nga buxheti i Pentagonit, i lejojnë ekspertët të llogarisin afërsisht kohën e prodhimit të tyre.