TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) përdori një mjet futuristik dhe sekret, të quajtur “Ghost Murmur”, për të gjetur dhe shpëtuar aviatorin amerikan të dytë që u rrëzua në jug të Iranit, raporton New York Post.
Ky mjet përdor magnetometri kuantik me rreze të gjatë për të identifikuar shenjën elektromagnetike të rrahjeve të zemrës së njeriut dhe e kombinon këtë me inteligjencën artificiale, për të dalluar sinjalin e zemrës nga zhurmat e mjedisit, thanë burime të njohura me këtë operacion sekret.
Ishte hera e parë që CIA e përdori këtë teknologji në terren. Presidenti Donald Trump dhe Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, e përmendën të hënën pasdite gjatë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
“Është si të dëgjosh një zë në një stadium, përveç që stadiumi është një mijë milje katrorë shkretëtirë,” tha një burim i informuar. “Në kushtet e duhura, nëse zemra jote po rreh, ne do të të gjejmë.”
Teknologjia “Ghost Murmur” është zhvilluar nga Skunk Works, divizioni sekret i Lockheed Martin. Kompania nuk komentoi mbi mjetin, i cili ishte testuar më parë me sukses në helikopterët Black Hawk dhe pritet të përdoret edhe me avionët luftarakë F-35.
Aviatori i humbur, i njohur vetëm me pseudonimin “Dude 44 Bravo”, u fsheh në një çarje malore pas rrëzimit të avionit F-15 javën e kaluar. Ai mbijetoi dy ditë ndërsa trupat iraniane e kërkonin, për të cilin ishte vendosur edhe shpërblim.
Peisazhi i zbrazët ishte ideal për përdorimin e parë operacional të “Ghost Murmur”. Emri i mjetit reflekton funksionin e tij: “Murmur” lidhet me rrahjet e zemrës, ndërsa “Ghost” tregon aftësinë për të gjetur dikë që duket i zhdukur. Mjeti funksionon më mirë në mjedise të largëta dhe me interferencë elektromagnetike të ulët, duke përdorur edhe diferencën termike midis trupit të gjallë dhe tokës.
Ndryshe nga sensorët tradicionalë që kërkojnë afërsi të trupit, teknologjia kuantike me defekte në diamante sintetike mund të zbulojë rrahjet e zemrës nga distanca. Sidoqoftë, ajo kërkon kohë dhe kushte të favorshme për përpunimin e të dhënave.
Edhe pse aviatori kishte aktivizuar një sinjalizues emergjence, pozicioni i tij mbetej i pasigurt. Mjeti e lokalizoi atë duke kombinuar teknologjinë me sinjalin e aparatit, duke siguruar një konfirmim të saktë.
Trump dhe Ratcliffe konfirmuan përdorimin e teknologjisë gjatë konferencës për shtyp. Trump tha se CIA e kishte parë aviatorin nga 40 milje larg, duke e përshkruar gjetjen si “të gjesh një gjilpërë në kashtë”, ndërsa Ratcliffe vlerësoi suksesin e operacionit dhe sigurinë e aviatorit, të cilin e përshkroi si një nga “më të mirët dhe më të guximshmit”.