BOTA, 29 Nëntor 2023, 12:39

Blinken: Aleanca e NATO-s është e bashkuar

Blinken: Aleanca e NATO-s është e bashkuar

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s që u mbajt dje e sot në Bruksel është diskutuar edhe se si të ndihmohet Ballkani Perëndimor për një të ardhme euroatlantike.

“Aleanca e NATO-s është e bashkuar”, shkroi Blinken në X, duke shtuar se kanë folur për shumë tema.

“Ne folëm për shumë tema në terren gjatë takimit të ministrave të Jashtëm – nga pritshmëritë tona në Samitin e Washingtonit vitin e ardhshëm, në mënyrat se si mund të thellojmë partneritetin tonë me Ukrainën, deri tek mënyra se si mund të ndihmojmë në mbështetjen e të ardhmes euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.

Në takimin që filloi të martën, ministrat e Jashtëm të NATO-s në agjendë patën edhe Ballkanin Perëndimor dhe më në vëmendje Kosovën dhe Bosnjën për shkak të tensioneve të rritura. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dje para gazetarëve tha se Aleanca do të bëjë çfarëdo që nevojitet për të siguruar stabilitet në këtë rajon, duke thënë se paqja e Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme për gjithë Europën dhe vetë NATO-n.