BOTA, 13 Gusht 2025, 20:45

Bjellorusia do të testojë raketat bërthamore “Oreshnik” pranë kufijve me NATO-n! Manovra ushtarake me Rusinë në shtator

Bjellorusia do të testojë raketat bërthamore

Bjellorusia konfirmoi të hënën se do të zhvillojë stërvitje ushtarake të përbashkëta me Rusinë, gjatë të cilave do të ushtrohet përdorimi i raketave hipersonike “Oreshnik”, të afta për të mbajtur ngarkesë bërthamore. Manovrat do të zhvillohen pranë kufijve me vendet anëtare të NATO-s në Evropën Lindore.

Ish-republika sovjetike është një aleate kyçe e Moskës dhe ka lejuar përdorimin e territorit të saj për nisjen e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Kievi dhe disa vende lindore të NATO-s, përfshirë Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë – të gjitha me kufi të përbashkët me Bjellorusinë – janë të shqetësuara për rritjen e prezencës ushtarake ruse në territorin bjellorus.

Rusia ka konfirmuar se synon të vendosë raketat “Oreshnik”, të cilat mund të mbajnë koka bërthamore, në Bjellorusi deri në fund të këtij viti.

Stërvitjet ushtarake të përbashkëta, të quajtura “Zapad-2025”, do të mbahen nga 12 deri më 16 shtator.

Ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë, Viktor Krenin, deklaroi se gjatë stërvitjes “do të punohet me kolegët rusë për planifikimin e përdorimit të këtij lloj armësh”.

“Po monitorojmë me kujdes situatën në kufijtë tanë perëndimorë dhe veriorë dhe nuk mund të qëndrojmë duarkryq përballë militarizimit dhe aktiviteteve ushtarake”, shtoi Krenin, sipas agjencisë shtetërore Belta.

Në vitin 2024, Rusia përdori raketën “Oreshnik”, por pa ngarkesë bërthamore, për të goditur një fabrikë ushtarake në qytetin Dnipro në Ukrainën qendrore.

Stërvitjet “Zapad”, që në të kaluarën kanë përfshirë dhjetëra mijëra trupa, konsiderohen si një demonstrim force pranë kufijve të BE-së dhe NATO-s.

Megjithatë, në muajin maj, autoritetet bjelloruse njoftuan se këtë vit do të reduktohet numri i trupave pjesëmarrëse në manovrat “Zapad-2025”.

Për kujtesë, në stërvitjen “Zapad-2021” morën pjesë rreth 200,000 ushtarë, vetëm pak muaj para se Moska të ndërmerrte pushtimin e Ukrainës.