TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare ka njoftuar se rreth 600 mijë shtetas nga Venezuela dhe më shumë se 230 mijë të tjerë nga El Salvadori që aktualisht jetojnë në Shtetet e Bashkuara mund të qëndrojnë në vend ligjërisht edhe për 18 muaj të tjerë, një njoftim ky që vjen 9 ditë përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën me premtimin për politika më të ashpra ndaj emigracionit. Administrata e Presidentit Biden ka përkrahur fort Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme, përfitues të të cilit janë rreth 1 milionë njerëz nga 17 vende të ndryshme. Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme, lejon individët që ndodhen aktualisht në Shtetet e Bashkuara që të qëndrojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme në SHBA në rast se atdheu i tyre konsiderohet i pasigurt, për shkak të fatkeqësive natyrore, konflikteve të armatosura apo ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme.
E ardhmja e programit të ‘Statusit të Mbrojtjes së Përkohshme’ është e pasigurt nën drejtimin e Presidentit Trump, i cili u përpoq të kufizonte ndjeshëm përdorimin e tij gjatë mandatit të parë si President. Trump deklaroi përgjatë fushatës presidenciale të këtij viti se emigrantët nga Venezuela dhe El Salvadori janë një grup bandash që kanë pushtuar Shtetet e Bashkuara dhe po vrasin qytetarët Amerikane. Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare zgjati afatin e qëndrimit në SHBA edhe për 103 mijë shtetas nga Ukraina dhe 1900 nga Sudani, që tanimë jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Ky status i lejon individët që të qëndrojnë ligjërisht në vend, por nuk u siguron atyre një rrugë afatgjatë drejt marrjes së shtetësisë. Ata varen nga qeveria, nëse do ta rinovojë statusin e tyre kur të skadojë. Kritikët konservatorë kanë thënë se me kalimin e kohës, rinovimi i ndodh automatikisht, pavarësisht gjendjes në vendin e origjinës së personit. Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe Nën Presidenti i zgjedhur, JD Vance kanë sugjeruar se do kufizojnë përdorimin e programit Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme dhe politikave të tjera për mbrojtjen e emigrantëve ndërkohë që republikanet planifikojnë dëbime masive.
Në muajt e fundit, aktivistët kanë shtuar trysninë ndaj administratës Biden për të kërkuar zgjatje të programit te Statusit te Mbrojtjes se Përkohshme për ata që tashmë janë përfitues si edhe për të mbrojtur njerëzit nga vende të tjera si Guatemala dhe Ekuadori.