BOTA, 12 Gusht 2024, 19:54

Biden: Një armëpushim në Gaza i mundur para përfundimit të mandatit presidencial

Biden: Një armëpushim në Gaza i mundur para përfundimit

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden deklaroi se armëpushimi në Gaza është i mundur para përfundimit të mandatit të tij presidencial.

Në një intervistë për kanalin CBS, Biden bëri vlerësime lidhur me çështjen e armëpushimit në Gaza.

Ndaj pyetjes nëse është i mundur apo jo armëpushimi në Gaza pa përfunduar mandati i tij presidencial, presidenti Biden ka dhënë përgjigjen se “po, është ende i mundur”.

“Plani i armëpushimit i mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është ende i zbatueshëm”, deklaroi Biden, i cili shtoi se ata vazhdojnë punimet që situata “të mos kthehet në një luftë rajonale”.

Më 31 maj Biden njoftoi planin e armëpushimit me 3 faza për të cilin ai nënvizoi se ishte propozimi i Izraelit.

Shkurtimisht, plani përfshinte një armëpushim të përhershëm, tërheqjen e Izraelit nga e gjithë Gaza, lirimin e ndërsjellë të pengjeve dhe të burgosurve, kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gaza, dërgimin e pandërprerë dhe të mjaftueshëm të ndihmës humanitare dhe rindërtimin e Gazës.

Ndërsa Netanyahu më vonë parashtroi kushte të reja në lidhje me negociatat për shkëmbimin e pengjeve. Këto kushte parashikonin “parandalimin e kthimit të palestinezëve të armatosur nga jugu në veri dhe mbajtjen e ushtrisë izraelite në korridorin e Filadelfit në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit”.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar më 8 gusht SHBA-ja, Egjipti dhe Katari për sigurimin e armëpushimit dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza i bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit për rifillimin e negociatave në Kajro ose Doha më 15 gusht.